Mediat rozë kanë pasur ditët e tyre më të mira për material, kjo duke qenë se reperi i njohur ndërkombëtarisht, Kanye West është kthyer në ‘trollin’ dhe personazhin më të dëshpëruar në internet. Materiali duket se nuk ka për të mbaruar lehtë, aq më tepër për fatin se përpos se Kanye poston ai edhe u jep mediave kredite, duke i shtuar këtyre të fundit klikime marramëndëse.
Që pas divorcit, Kanye West i njohur tashmë si ‘Ye’, ka preferuar të nxjerrë vorbullën e tij të emocioneve në Instagram. Duhet theksuar se, Kanye West menaxhon një profil me ndjekës nga i gjithë rruzulli tokësor (pa ekzagjërim) dhe kjo ‘thirrja’ e tij për ndihmë është kthyer në situatë tragjikomike!
Ajo që pritet me ëndje është sesi do reagojë modelja e njohur, influecuesja dhe iniciatorja e shumë brandeve të ‘selfcare’, Kim Kardashian me gjithë këtë shpërthim përgjërues të ish bashkëshortit të saj. Dhe më në fund ka ndodhur! Kim ka preferuar të injorojë çdo lutje të Kanye për rikthim së bashku dhe këtë e ka ‘vulosur’ me një puthje që ka shkëmbyer me aktorin Pete Davidson teksa ishin duke shijuar një drekë në New York.
Për ditë të tëra, Ye ka hyrë në llogarinë e tij në Instagram për të ngacmuar dhe kërcënuar Pete Davidson, duke i lënë gjithashtu Kim të kuptojë se ai ende ka ndjenja për të dhe dëshiron të rikthehen.
Pasi ndau publikisht mesazhet e tyre private, Kim e pyeti Ye pse vazhdon t’i postojë mesazhet e saj. Ai i tha asaj se mori një mesazh nga personi i tij më i preferuar, se është fansi numër një i saj dhe këtë gjë donte ta ndante me botën.