1 dhjetori është Dita Botërore kundër Sidës. E vendosur në vitin 1988, Dita Botërore kundër Sidës është një rast për të përkujtuar njerëzit që kanë humbur jetën nga kjo sëmundje. Ky është gjithashtu një rast që bota të vlerësojë përpjekjet e tanishme për të ndihmuar njerëzit e prekur nga virusi HIV i cili shkakton Sidën dhe për t’u ri-angazhuar në luftën për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të këtij virusi.
Një raport i ri i OKB-së vë në dukje se numri i atyre që jetojnë me virusin HIV në botë vazhdon të shtohet dhe i ka kaluar të 40 milionët – niveli më i lartë deri më sot. Afrika nënsahariane mbetet rajoni më i prekur nga sëmundja e Sidës. Më tepër se 25 milion njerëz atje jetojnë me virusin HIV. Peter Piot është drejtor i OKB-së për Sidën: “Shtimi më i lartë është në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, në vendet e ish Bashkimit Sovjetik, ku numri i njerëzve me virusin HIV është shtuar 20 herë në më pak se 10 vjet.”
Megjithatë në raportin e OKB-së thuhet se gjatë viteve të fundit, një numër gjithnjë e më madh vendesh, përfshirë Kenian, Zimbabven dhe disa vende të Karaibeve kanë patur rënie në numrin e të infektuarve nga virusi HIV. Zyra e OKB-së për Sidën thotë se ky pakësim është rezultat i ndryshimeve në konceptet e njerëzve, përshirë këtu kujdesin e të rinjve në marrëdhëniet seksuale, besnikërinë e çifteve dhe përdorimin e mjeteve antikonceptive. Kjo është një shenjë shpresëdhenëse në kushtet kur këto vende vazhdojnë të ndeshen me sfida të mëdha.
Shumë shpejt po shtohet edhe numri i të prekurve nga Sida të cilët kanë mundësi të marrin ilaçe për frenimin e kësaj sëmundjeje. Shtetet e Bashkuara po luajnë rolin kryesor për shtimin e numrit të atyre që mund të marrin ilaçe në vendet në zhvillim dhe për zgjerimin e programeve të parandalimit.
Rezultatet po arrihen nëpërmjet planit të emergjencës të Presidentit të Shteteve të Bashkuara për ndihmën në luftën kundër Sidës. Në vitin 2003, Presidenti Bush shpalli një angazhim prej 15 miliard dollarësh për luftën globale kundër virusit HIV dhe Sidës.
Në këtë program përfshihen 123 vende të botës me theks të veçantë në 15 prej tyre që janë prekur më rëndë dhe që sëbashku përbëjnë 50 për qind të numrit të përgjithshëm të të prekurve në botë. Presidenti Bush është zotuar se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të udhëheqin botën në gjetjen e burimeve për të mposhtur sidën. “Sot Amerika po punon me autoritet dhe organizatat vendore në nismën më të madhe në histori për luftën kundër një sëmundjeje. Kudo në Afrikë ne po ndihmojmë zyrtarët e shëndetsisë për të zgjeruar objektet për kontrollin e pacientëve, po ushtrojmë dhe përkrahim mjekët dhe infermjerët dhe po riparojmë klinikat dhe spitalet, tha presidenti Bush.”
Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre në vende të ndryshme të botës po punojnë për të krijuar shpresa të reja për ata që vuajnë nga virusi hiv ose nga sida si dhe për të kontribuar për një të ardhme më të shëndetshme për njerëzit kudo në botë.
REL