Me përmirësimin e situatës së COVID-19 dhe numrin e lartë të vaksinimit, disa vende Evropiane kanë hequr të gjithë kufizimet për udhëtarët, përfshirë ata nga vende të treta. Deri tani janë 11 vende të BE dhe Zonës Evropiane Ekonomike që nuk kanë asnjë kufizim për lëvizjen e qytetarëve që nuk janë pjesë e BE-së.
Lista:
Çekia
Danimarka
Hungaria
Islanda
Letonia
Norvegjia
Polonia
Rumania
Sllovenia
Suedia
Udhëtarët nga vendet jo anëtare të BE-së mund të hyjnë në këto 11 vende pavarësisht statusit të vaksinimit, raporton SchengenVisaInfo. Kjo do të thotë se udhëtarëve nuk u kërkohet certifikatë për COVID – për vaksinimin, shërimin apo test.
Për të udhëtuar në këto vende nevojiten vetëm dokumente identifikimi si pasaporta dhe viza, nëse është e nevojshme. Përveç heqjes së kufizimeve për udhëtarët, këto vende kanë hequr dhe pjesën më të madhe të masave kundër COVID.
Për të hyrë në restorante, muze, teatro apo qendra tregtare nuk kërkohet certifikatë vaksinimi apo test COVID-i. Listës prej 11 vende pritet t’i bashkohet së shpejti Greqia. Ministri i Shëndetësisë, Thanos Plevris tha se hyrja e lirë do të mundësohet duke nisur prej datës 2 maj. Nga ana tjetër, disa nga vendet më të vizituara si Spanja, Franca, Portugalia, Italia dhe Gjermania ende vazhdojnë të mbajnë kufizimet.
Udhëtarët nga vende të treta duhet të paraqesin certifikatë vaksinimi ose test për COVID. Heqja e kufizimeve për udhëtarët nga 11 vendet e sipër përmendura erdhi nga përmirësimi i infektimeve.
Por ndërkohë Organizata Botërore e Shëndetësisë tregon se në kontinentin evropian janë mbi 6,4 milionë raste të reja në 7 ditët e fundit. Sa i takon vaksinimit sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve në vendet e BE dhe zonës evropiane ekonomike janë administruar mbi 890 milionë doza vaksine.