Për kreun e PD, Lulzim Basha buxheti i vitit 2022, që prezantohet sot në Kuvend, është një buxhet i vendosur nga qeveria në funksion të klientëve të saj e jo të qytetarëve. Basha tha se nuk ka një shoqatë që të kemi miratuar pr/buxhetin e qeverisë, ndërsa shtoi se plani kryesor i qeverisë është hapja e thesit për oborrtarët e koncesionit.
“Nuk duhet të jesh ekonomist, apo ekspert financash, që të kuptosh se si në traditën tuaj më të keqe, këmbëngulni në mënyrë tinëzare ta vendosni buxhetin e shtetit në funksion të klientëve të qeverisë. Nëpërmjet PPP-ve, që përsëri bëjnë motin e mirë e të keq në ekonominë shqiptare, ndërkohë gjithcka tjetër është një përpjekje për të gënjyer me indeksime vrapin e pandalshëm të cmimeve. Të çmieve që vrapojnë dhe parakalojnë gjasme-indeksimin e vobektë e rrogave dhe pensioneve. E ndërkohë, për këtë valë të madhe të njerëzve të zhytur në varfëri dy vitet e fundit, që i shtohet atyre që nuk e kanë kërkuar shpëtimin nga mjerimi npërmjet largimit nga vendi, nuk ka asnjë plan nga ju. Pasi deri më tani plani kryesor që keni bërë të ditur është hapja e thesit për të dyshuarit e zakonshëm, oborrtarët e koncesioneve.
Ndërsa radhët e gjatë të njerëzve në vështirësi ekonomike, që përballen me pamundësinë për të shtruar sofrën për veten dhe fëmijët e tyre, të atyre që përditë shënojnë emrat në listat e pafundme të borxheve nëpër ushqimoret e Shqipërisë, mbeten të braktisurit e mëdhenj, sepse asgjë nuk është parashikuar për ta. Sepse po menduat për ta, rrezikoni që vitin e ardhshëm të mos jepni dot 113 milionë euro për PPP-të e klientëve tuaj. Një shifër 5 herë më e lartë se fondi i parashikuar për indeksimin e pensioneve, Ose 3 herë me e lartë se fondet vjetore që ndahen për ndihmën ekonomike për familjet në nevojë.” tha Basha.