Tiranë– Gjykata e Shkodrës ka vendosur masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për Arlind Tabakun dhe Përparim Shurdhin, të cilët akuzohen si bashkëpunëtorë, për drogën e kapur në kamionin që u kap në Malin e Zi, mbushur me 2.6 ton marijuane.
Arlind Tabaku është personi i cili i ka gjetur magazinën shoferit të kamionit Elvis Çalik pasi ky i fundit i ka kërkuar një magazine me qera për të lënë fruta perimet në Lushnjë. Përparim Shurdi është pronari i magazinës qe ia ka dhënë me qera shtetasit Elvis Çalik.
Të dy të dyshuarut kanë mohuar akuzat ndaj tyre duke thënë se nuk kanë asnjë lidhje me drogën. Ndërkohë avokatët mbrojtes të Arlind Tabakut sqarojnë se prokuroria kishte zero prova për dy të dyshuarit.
‘Zero prova prokuroria. Arrestim skandal. Ka vetem nje komunikim me 27 tetor mes Arlind Tabakut dhe shoferit te kamionit. Arlind Tabaku nuk ka qene ne magazine sepse jane kamerat e sigurise. Nuk ka asnje lloj prove nga ana e prokurorise. Arlind Tabaku dhe personi tjeter nuk kane nxjerre asnje emer te personave te perfshire siç pretendohet. Magazinen shoferi i kamionit ia ka kerkuar me qera sepse i ka thene se dua te merrem me fruta perime duke qene se zona e Lushnjes njihet per ate pune. Nuk ka asnje prove qe tregon se kamioni eshte ngarkuar me droge tek magazina por vetem shihet duke hyre dhe duke dale.’- u shpreh Saimir Korreshi avokat mbrojtes i Arlind Tabaku.
Droga u kap mbrëmjen e së martës, teksa ishte fshehur brenda një kamioni që ishte mbushur me fruta-perime. Kamioni kaloi ka asnjë problem në pikën kufitare të Kapshticës dhe më pas në Han të Hotit, por ishte pala malazeze ajo që kërkoi hapjen e tij duke gjetur edhe 2.6 ton kanabis. Në flagrancë u prangos shoferi 40-vjeçar i kamionit, Ervis Çalik.