200 kilogramë kokainë janë sekuestruar brenda një konteineri të mbushur me banane që vinte nga Ekuadori. Operacioni për sekuestrimin e kokainës është zhvilluar me urdhër të Prokurorisë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), pasi konteineri pulsoi kur kaloi në skanerin e Portit të Durrësit.
Për këtë arsye, efektivët e sigurisë së portit kanë lajmëruar autoritetet e tjera dhe kanë mbajtur nënë vëzhgim konteinerin deri në mbërritjen e përforsimeve. Me sharrë, punonjësit hapën tavanin metalik të konteinerit ku dhe gjetën pakot me kokainë. Lënda narkotike është sekuestruar, ndërsa SPAK ka prerë fletët e arrestit për aksionerët e kompanisë ku kishte destinacionin droga.
Bëhet fjalë për kompaninë që merrte fruta nga Ekuadori “Massabi fruits” në Kombinat të Tiranës. Deri më tani nuk janë zbardhur ende emrat e aksionerëve por mësohet se bëhet fjalë për dy persona, të cilët nuk rezultojnë të jenë përfshirë më herët në aktivitete kriminale.