SHKODËR – Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm qytetin e Shkodrës. Ridvan Ramazani, 46-vjeç është ekzekutuar me breshëri kallashnikovi pranë një pike karburanti në afërsi të fshatit Mushan të Shkodrës. Burimet bëjnë me dije se kanë qenë dy persona të cilët udhëtonin me motor, Duel Mehmedaj dhe Hydajet Mehmedaj, që kanë ekzekutuar Ramazanin i cili ishte në makinën e tij tip “BMW X5”, xhamat e së cilës janë bërë shoshë në plumba. Pavarësisht se pika e karburantit ishte e pajisur me kamera sigurie, ato nuk funksiononin dhe nuk kanë arritur të regjistrojnë të gjithë skenën e krimit. Në vendngjarje janë gjetur gjithashtu 20 gëzhoja kallashnikovi. Policia thotë se dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta.
Dueli dhe Hydajti janë nipat e Gëzim Mehmedajt që vrau në vitin 1992 apo 93 efektivin e RENEA-s Arben Ujka, sakaq janë edhe dajat e Bajram Bregut, mikut të Ibrahim Licit në Shkodër. Autorët e dyshuar gjatë paradites ishin konfliktuar me djalin e viktimës dhe më pas Ramazani ka ndërhyrë për të sqaruar situatën dhe për pasojë ka mbetur i vrarë me armë zjarri. Për këtë ngjarje janë arrestuar 3 persona, ndërkohë që dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Burime konfidenciale pranë policisë së shtetit bëjnë me dije se është arrestuar një nga autorët ndërkohë që dy persona te tjerë janë arrestuar për mos kallëzim krimi. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se gjithçka ka nisur pas një konflikti disa orë para vrasjes. Ne vendin e ngjarjes jane gjetur 30 gezhoja automatiku, si dhe është sekuestruar një pistole me dy krehër me fisheke.
Ridvan Ramazani, njihej si i forti i fisit Ramazani në Shkodër, familja e të cilit ka pasur konflikte me një tjetër fis, atë të Edmir Koçisë. Ky i fundit është vrarë në të njëjtën datë si sot 8 vite më parë në lagjen “Tepe” në Shkodër, ku është goditur në orët e mbrëmjes të 28 nëntorit, ndërsa ka ndërruar jetë në spital një ditë më vonë. Ramazani, për policinë e Shkodrës ka qënë një ndër personat kryesorë të dyshuar në vrasjen e Edmir Koçisë. Me sa duket goditja në të njëjtën datë është një mesazh i qartë dhe kuptimplotë që të çon në dyshimin e arsyeshëm se vrasjen e Ridvan Ramazanit, e ka kryer grupi i Edmir Koçisë.