Të dhënat zyrtare tregojnë se vetëm në Tiranë nga vitit 2018 deri në 2020 kanë kërkuar strehim 6708 familje prej të cilave u është dhënë një mundësi vetëm 1800 familjeve. Gjatë përpjekjeve për të rregulluar programet e strehimit, në qershor 2018 u miratua ligji “ Për strehimin social” dhe në fund të prillit 2021, Gjykata Kushtetuese e rrëzoi padinë e Shoqatës së Ndërtuesve për shfuqizimin e nenin 19 të ligjit nr. 22/2018 “Për strehimin social”. Në këtë nen, parashikohet që kompanitë e ndërtimit që aplikojnë për leje me sipërfaqe banimi 2000 m2 duhet të japin së paku 3 përqind të sipërfaqes në funksion të fondit për banesat sociale.
Megjithatë gjetjet e para për mos zbatimin e ligjit, i ekspozoi një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit që nxorri zbuluar bashkitë.
“Nga auditimi rezulton se, programet sociale të strehimit nuk janë zbatuar plotësisht si politika sociale, duke adresuar vetëm raste individuale, por jo fenomenin social të të pastrehëve, duke mos luajtur një rol proaktiv në zbutjen deri në eliminimin e këtij fenomeni. Mungon regjistri kombëtar mbi numrin e të pastrehëve dhe investimet në banesa sociale, stoku i të cilave është inegzistent në shumicën e bashkive dhe i pamjaftueshëm në disa të tjera”, thuhet në auditimin e KLSH-së.
Gjithashtu KLSH-ja thekson se asnjë bashki nuk ka ndërtuar vetë banesa sociale apo që ti ketë blerë nga tregu.
“Gjatë 10 viteve të fundit asnjë bashki nuk ka ndërtuar vet banesa sociale apo të ketë blerë nga tregu për t’i ofruar si banesë me kosto të ulët. Për më tepër, ky funksion social i bashkisë s’është i inkuadruar as në planifikimet urbane apo planet e detajuara vendore, për ndërtimin e banesave sociale, për të përfshirë konceptin e Zonave me Interes Social”, thekson KLSH-ja.
E vetmja bashki që ka mundur të veprojë me këtë ligj është Bashkia e Tiranës e cila sipas KLSH- që nga hyrja në fuqi e ligjit e deri në Mars ka dhënë 4 leje ndërtimi me sipërfaqe mbi 2000 m2.
Lufta e ndërtuesve që kundështuan 3%-shin
Por pse e refuzojnë këtë 3%-sh, Shoqata e Ndërtuesve dhe cilat janë pasojat që sjell neni 19, i ligjit për strehimin social?
Përfaqësuesi i Shoqatës së Ndërtuesve, Ilir Hebovija e cilëson këtë detyrim si një taksë të shtuar mbi atë që i rëndon ndërtuesve.
“3% është taksë e shtuar mbi taksë që aktualisht i shkon ndërtuesve që është taksa e ndikimit në infrastrukturë që është 11% dhe 3%, është një taksë shtesë e cila është e paligjshme, është antikushtetuese sepse nuk mund të vendosësh taksë për një kategori të caktuar biznesesh për tia rikthyer gjithë shoqërisë. Duhet që të gjithë të paguajnë për gjithë shoqërinë. Nëqoftëse unë paguaj 11% sot për taksën e ndikimit në infrastrukturë, e kam brenda dhe detyrimin për banesat sociale. Ndërkohë që përveç këtij detyrimi ti më kërkon edhe një 3% shtesë, vetëm biznesit të ndërtimit, asnjë tjetri që të kontribuoj vetëm unë në gjithë bizneset në Shqipëri, në të gjithë individët në Shqipëri të cilët prodhojnë të ardhura, por ia vënë taksative 3% të gjithçkaje tia japi për banesa social. Nuk do të thotë që ti po ndërton një pallat dhe ti si ndërtues je i vetmi përgjegjës për strehimin social në Shqipëri, përndryshe e shtetëzojmë pallatin, siç ka ndodhur dikur edhe e përdor shteti për qëllime të veta. Ekonomia kapitaliste në të cilin ne jemi, ekonomia e tregut në cilin ne jemi sot nuk e presupozon këtë lloj barre të shtuar mbi biznesin, prandaj ne e kemi kundërshtuar. Ne nuk jemi kundër sistemit të taksave, ne jemi kundër taksave të cilat cënojnë të drejtën e të bërit biznes, janë taksa edhe nga ana kushtetuese nuk janë në vendin e duhur dhe bie barra vetëm në një grup interesi, siç janë ndërtuesit”, detajon Hebovija për ACQJ.
Ndërsa vendimin e Gjykatës Kushtetuese e komenton duke thënë se Gjykata nuk u mor me thelbin e çështjes, por nëse ishte apo jo legjitime Shoqata e Ndërtuesve.
“3% nuk është rrëzuar në Gjykatën Kushtetuese, është rrëzuar mënyra, legjimiteti ose jo i shoqatës së ndërtuesve, e cila ekziston prej gati 20 vitesh dhe ka qënë po ajo që ka hedh çështje më përpara në Gjykatën Kushtetuese. Pra ky është ndryshimi i kësaj. Duke qënë që Gjykata Kushtetuese në këtë moment është organi më i lartë, ne sigurisht do gjejmë rrugë të tjera për ta rikthyer këtë çështje në sistemin gjyqësor, në mënyrë që të vendoset nëse është kushtetuese apo jo 3%”, shprehet përfaqësuesi i Shoqatës së ndërtuesve.
Në fund Hebovija shton se edhe pse është vendosur kjo taksë prej 3%, ajo nuk është llogaritur në mënyrën e duhur.
“Në këto kushte siç është, nxitimi për ta vendosur 3% ka lënë jashtë shumë faktorë, të cilët duhet të ishin të mirëllogaritura, një sipërfaqe, një metër katror në qendër të Tiranës, nuk ka të njëjtën vlerë si një metër katror në periferi të Tiranës. Megjithatë ti e ngarkon ndërtuesin që po ndërton në zonat preferenciale, pra me 3% që është gati 5-fishi i vlerës që do paguajë ose do të japë një ndërtues në periferi të Tiranës. Pra edhe kjo është e shprehur në mënyrë të pabarabartë. Pa thënë fare pjesën siç iua thashë edhe më sipër që është një taksë që ngarkohet vetëm një subjekt siç është ndërtimi.
Ky 3% nuk mbetet tek ndërtuesi, shkon tek konsumatori, përgjithësisht gjithë sistemi i taksave shkon tek konsumatori, nuk mbetet tek ai që taksohet.
3% ndikon sigurisht edhe në rritjen e çmimeve të të gjithë banesave, gjithë infrastruktura, ndërtimit të banesave, qendra biznesi, dyqane, elementë të tjerë të infrastrukturës së ndërtimit shkojnë për tregun e shitjes”, e mbyll Hebovija.
Edhe pse Gjykata Kushtetuese e ka thënë fjalën e saj, debatet vijojnë. Një ekspert ligjor shpjegon për ACQJ, pse ky ligj dhe ky nen që kundërshtohet ka disa paqartësi. Eksperti shpjegon që edhe pse është titulluar si “Kontributi i sektorit privat në krijimin e fondit publik”, ndërsa brenda këtij neni, në pikën 1 shkruhet që “sigurohet kalimi pa shpërblim të të paktën 3%”.
“Pika 1 e nenit 19 thotë: “Çdo subjekt privat që, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, aplikon për leje zhvillimi dhe ndërtimi për ndërtime me sipërfaqe ndërtimore banimi mbi 2 000 metra katrorë, siguron kalimin pa shpërblim të të paktën 3 për qind të sipërfaqes funksionale, me kushtet e një strehimi të përshtatshëm, në favor të fondit publik të banesave sociale. Kjo sipërfaqe, në rast pamundësie për t’u dhënë në sipërfaqen ndërtimore të banimit që ndërtohet, mund të jepet në një sipërfaqe tjetër ndërtimore banimi. Kontrata që nënshkruhet mes palëve për kalimin e sipërfaqes ndërtimore në favor të fondit publik të banesave sociale, regjistrohet në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.”
“Pra edhe titullohet kontribut i sektorit privat, ajo ka një karakter të detyrueshëm sepse thuhet siguron kalimin pa shpërblim, pra është e detyruese, nuk është me karakter kontributi, me karakter vullnetar, por është imperativ dhe detyruese. Që këtu ka një pasaktësi e cila duket sikur është e teknikës ligjore sepse nuk korrespondon titulli që i është vënë dispozitës ligjore në përmbajtjen e vetë dispozitës ligjore. Nga ana tjetër nëse shikon terminologjinë që është zgjedhur thuhet që të paktën 3% të sipërfaqës funksionale, të paktën 3% çfarë nënkupton ose 3% ose më shumë, pra mund të jetë edhe 100%. Duket qartë që pa hyrë në interpretime shumë të thelluara kushtetuese dhe ligjore që nuancat e kufizimit që i bëhet të drejtës së zhvilluesit ose të drejtës së shoqërisë së ndërtimit është e pakufizuar. Aty thuhet 3% dhe mund të zbatohet, por mund të zbatohet edhe më shumë, sepse ligji ty ta njeh të drejtën që të fillosh nga një marzh, nga 3% e në vazhdim, pra edhe deri në 100% dhe është zhveshje komplet e së drejtës që ka shoqëria e ndërtimit. Ka një natyrë kufizimi të papërcaktuar me natyrë juridike të papërcaktuar, me natyrë sasiore të papërcaktuar dhe pyetja që shtrohet është se sa do zbatohet 3%, 10%, 20%, 100%. Këtë ligji ta ka lënë të hapur”, shprehet eksperti ligjor.
Sakaq eksperti ligjor tregon edhe pjesën nga ana kushtetuese dhe se çfarë lirish dhe parimesh cënohen me këtë ligj .
“Vetë ligji ka një natyrë antikushtetuese, e para sepse cënon parimin e sigurisë juridike, parimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike, sepse atë sipërfaqe që subjekti ndërtues ka vendosur ta zhvillojë, ta investojë, është një sipërfaqe në disponimin e tij të plotë dhe ti po e kushtëzon që 3% të kësaj sipërfaqeje, të paktën 3% se do mund të jetë edhe më shumë, ti do ia kalosh fondit të banesave sociale. Ty të detyron mënyrën sesi do ta disponosh atë që të takon ty. Jemi dakord që veprimtaria e lirisë ekonomike mund të kufizohet, nuk është absolute, kufizohet, shteti ka patur raste që çdo liri të njerëzve për një interes publik e kufizon. Ne këtu po flasim që interesi publik dhe drejtësia sociale nuk mund të realizohet me mjete antikushtetuese, ky është thelbi dhe ky është ai filli i hollë që e ndan situatën, ne vërtetë mund të flasim për drejtësi sociale, ne vërtetë mund të flasim për mirëqënie sociale ku futet edhe strehimi social. Pse? Sepse çfarë ndodh, shteti është mekanizmi që tatimet dhe taksat i konverton në programe të mirëqënies sociale, pjesë e së cilës është edhe strehimi social. Tani subjektet e ndërtimit janë taksapagues, i paguajnë të gjitha detyrimet që ata kanë në shtet, pra le të themi që ata kanë kontribuar një herë tërthorazi edhe te skema e administrimit social, sepse shteti mbahet nga tatime, taksat dhe të ardhura të tjera të ligjshme. Atëherë përsa kohë ata i paguajnë të gjitha tatimet dhe taksat, ata mund të themi që janë njëherë kontribues të programeve sociale, përfshirë këtu strehimin social. Tani këtu po flasim për një detyrim të dytë, ose një barrë të shtuar vetëm për subjektet ndërtimore, dhe jo për subjektet e tjera. Vetëm për subjektet ndërtimore, i vendoset një barrë e shtuar në formën e 3% ose në natyrë ose në cash siç e ka zgjeruar kuptimin Këshilli Bashkiak i Tiranës, pra këtu po flasim për një barrë të shtuar, tani mund të thuash që është një taksë e mbivendosur ose një taksë e dytë. Ky është problemi sepse ne nuk e përcaktojmë dot në mënyrën juridike, çfarë është 3%-shi? Është tatim, nuk është tatim, sepse tatim është gjithmonë në vlerë monetare. Është një taksë? Nuk është taksë, sepse taksa paguhet kundrejt një ofrimi të një shërbimi publik, pra nuk hyn në konceptin ligjor të tatimit dhe taksës. Është donacion? Nuk është donacion sepse ska baza vullnetare. Pra çfarë është? Ne nuk e kuptojmë natyrën juridike të këtij 3%-shi, ne kuptojmë efektet dhe pasojat që ka 3%-shi, si një barrë e shtuar, si barrë që rëndon interesat e subjekteve ndërtimore, por ne nuk kuptojmë natyrën juridike që ka dhe ky është një problem shumë i madh sepse duke mos kuptuar natyrën juridike, situate është komplet e pagarantuar ligjërisht dhe kudo shkojë le të themi subjektet ndërtimore. Në rast se kemi një aplikim të gabuar të kësaj përqindje, ku do ankimohen, cilit ligji do ti nënshtrohemi për procedurat e ankimimit, pra ligji nuk ofron garancitë e nevojshme kushtetuese që janë e drejta ankimimit, qartësia e dispozitës ligjore, dhe kjo krijon një problematikë dhe një pasiguri kushtetuese që është një nga parimet themelore të shtetit të së drejtës”, mbyll shpjegimin për ACQJ, eksperti ligjor.
Njëherazi edhe pse sipas Shoqatës së Ndërtuesve kjo taksë është antikushtetuese ata janë të detyruar që ta paguajnë, sepse Bashkia e Tiranës nuk ta miraton lejen e ndërtimit pa të llogaritur edhe taksën 3% për strehimin social.
Bashkia e Tiranës: 3%-shi është zbatuar
Në një përgjigje zyrtare, Bashkia e Tiranës thekson se e ka zbatuar detyrimin e subjekteve zhvilluese për zbatimin e ligjit “Për strehimin social”.
“Lejet e ndërtimit të dhëna nga Bashkia Tiranë, përfshijnë gjithë territorin që ajo ka në juridiksionin e saj sipas përcaktimeve të ligjit 139/2015, datë 17.12.2015 për “Vetëqeverisjen Vendore” (i ndryshuar), ligjit nr. 107/2014, datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” (i ndryshuar) si dhe aktet nënligjore në zbatim të tij. Për periudhën nga hyrja në fuqi e ligjit nr. 22/2018 deri në hyrjen në fuqi të VKB me nr. 105, datë 25.10.2019 Bashkia Tiranë, u ka lënë si pikë në vendimin e lejes së ndërtimit të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, detyrimin e subjekteve zhvilluese për zbatimin e ligjit “Për strehimin social”
Zyrtarisht rezulton se për këtë periudhë janë miratuar rreth 53 leje, për të cilat ekziston barra e detyrimit të kalimit pa shpërblim të paktën 3% për qind të sipërfaqes funksionale.
Nga ana tjetër, për periudhën 2020 janë miratuar 61 leje ndërtimi, ku sipërfaqja 3% takuese total është 15 726 m’. Prej tyre 11 740 m2 janë dhënë në sipërfaqe funksionale banimi dhe sipërfaqja prej 3986 m2 janë dhënë në vlerë leku. Vlera totale e arkëtuar nga Bashkia Tiranë është 342 258 275 lekë.
“Për periudhën Janar-Mars 2021 janë miratuar 22 leje ndërtimi, ku sipërfaqja 3% takuese total është 6789.1 m2, ku nga këto 6044.3 m2 janë dhënë në sipërfaqe funksionale banim dhe sipërfaqja prej 744.3 m2 janë dhënë në vlerë leku, ku vlera total e arkëtuar nga Bashkia Tiranë është 65 714 550 lekë”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Bashkisë së Tiranës.
Sakaq për krijimin e banesave sociale, KLSH-ja rekomandon që të ketë një bashkëpunim me sektorin privat të ndërtimit.
“Bashkitë duhet të kenë një qasje proaktive, jo pasive, ndaj strehimit social duke filluar me inkuadrimin e strehimi social në planifikimet urbane dhe duke aplikuar metoda bashkëkohore europiane, në bashkëpunim me sektorin privat të ndërtimit, për të kultivuar banesa sociale”, thuhet në raportin e KLSH-së.
Ndërsa në fund, përfaqësuesi i Shoqatës së ndërtimit, Ilir Hebovija thekson se: “Nëse nuk do të ketë një rrugë ligjore për ta rrëzuar këtë nen të këtij ligji, atëherë do të jenë të detyruar që ulen në bisedime me Bashkinë e Tiranës, ose me qeverinë qendrore që ky ligj të ketë standard europiane, pasi ne synojmë të hyjmë në BE, ndërsa ligjet i bëjmë ndryshe nga BE-ja”.
Shkroi: Klevis Paloka
Marrë nga ACQJ