Pas 14 vjetësh, hetimi ndaj Maddie McCann, vajzës të vogël angleze që u zhduk në maj 2007, kur ishte pak më shumë se 3 vjeç, nga një hotel në Praia de Luz, në Portugali duket se po shkon drejt përfundimit. Prokurorët gjermanë janë “100%” të bindur se ajo u vra nga Christian Bruckner, 44 vjeç, i dyshuari kryesor në zhdukjen e vajzës së vogël.
Prokurori Hans Christian Wolters i tha shtypit britanik se “tani mund ta akuzojmë pasi kemi prova”.
Bruckner ndodhet në burg në Gjermani për krime të tjera. Nga hetimet është zbuluar se ai ishte duke qëndruar në një autostradë jo shumë larg Praia de Luz në atë kohë.
Hetimet zbuluan se telefoni i tij është gjurmuar pranë banesës së Maddie para se prindërit e fëmijës të kuptonin se ajo ishte zhdukur. Sidoqoftë, Brueckner e ka mohuar gjithmonë përfshirjen e tij në zhdukjen e Maddie dhe në një letër të publikuar e ka quajtur hetimin ndaj tij “skandaloz”.
“Ne jemi të bindur se kemi personin që e mori dhe e vrau. Ne do ta zyrtarizojmë akuzën, por po presim derisa të kemi mbledhur të gjitha provat e mundshme,” – tha prokurori gjerman për “Mirror” duke vënë në dukje se aktualisht provat që posedojnë janë “rrethanore dhe joshkencore”.
“Nuk mund të them mbi çfarë bazash supozojmë se ajo ka vdekur, por për ne nuk ka asnjë mundësi tjetër. Nuk ka shpresë që ajo është ende gjallë,” – shtoi ai, pavarësisht se prindërit e fëmijës nuk i humbin shpresat.
“Personalisht, unë mendoj se një përfundim do të arrihet brenda vitit të ardhshëm,” – përfundoi Wolters.