Grupi i parë me 300 afganë pritet të mbërrijë gjatë ditës së sotme në Shqipëri. Avioni që do t’i sjellë, është parashikuar të ulet në pjesën ushtarake të aeroportit në Rinas, ku tanimë janë ngritur dhe disa tenda. Në to, do të jetë ndalesa e parë, ku qytetarët afganë, do t’i nënshtrohen dhe verifikimeve mjekësore, për të parë nëse ndokush ka nevojë për trajtim të specializuar.
Pas negociatave të bëra me SHBA-në, Shqipëria ka pranuar të presë afganët të cilët u rrezikohet jeta nga talebanët. Mësohet se shumë prej tyre do të strehohen në konviktet e Qytetit Studenti. Përveç Qytetit Studenti, një tjetër skenar është përfshirë edhe strehimin e një pjesë të tyre në disa hotele në qytetin bregdetar të Durrësit, edhe pse kapacitetet e strukturave akomoduese janë më të kufizuara për shkak të fluksit të turistëve.