Papa Françesku është angazhuar çdo ditë e më shumë në fushatën mediatike për të kapërcyer skepticizmin ndaj vaksinave anti covid, duke këmbënguluar se ato janë të sigurta, efektive dhe një “akt dashurie”.
Në një video-mesazh të publikuar të mërkurën, Papa i drejtohet veçanërisht Amerikës. Në videon e publikuar, shfaqen gjashtë kardinalë dhe kryepeshkopë nga Amerika Veriore, Qendrore dhe Jugore, si dhe papën e lindur në Argjentinë. Video u prodhua nga Vatikani dhe Këshilli i Reklamave, i cili ka prodhuar disa syresh me përmbajtje pro-vaksinimit, me idenë që të ndihmojnë në vaksinimin e sa më shumë njerëzve.
Në komentin e tij, Papa tha: “Të vaksinohesh nga vaksina të autorizuara nga autoritetet kompetente është një akt dashurie. Dhe të kontribuosh që shumica e njerëzve të vaksinohen është gjithashtu një akt dashurie”.
Më tej, ai tha se vaksinimi është një mënyrë e thjeshtë, por e thellë për të promovuar të mirën e përbashkët dhe për t’u kujdesur për njëri-tjetrin, veçanërisht për personat më të rrezikuar. Papa Françesku ka theksuar në fillimin e pandemisë nevojën për të siguruar një qasje të barabartë në vaksinim, veçanërisht për shtresat e varfëra.
Por i ballafaquar me skepticizmin gjithmonë në rritje për vaksinat, veçanërisht në mesin e konservatorëve fetarë, Vatikani ka premtuar një përpjekje të përgjithshme për ta kapërcyer këtë frikë dhe për të inkurajuar sa më shumë njerëzit që të vaksinohen. Vatikani është shprehur se është moralisht e pranueshme që katolikët të vaksinohen kundër Covid-19, duke përfshirë edhe ato vaksina që janë bazuar në përdorimin e qelizave të nxjerra nga fetuset e abortuara.