Një gjykatë në Myanmar dënoi këtë të hënë ish-udhëheqësen e qeverisë civile Aung San Suu Kyi me katër vjet burg për nxitje të trazirave publike dhe shkelje të rregullave shëndetësore në lidhje me Covid-19.
Fituesja e çmimit Nobel për Paqe, qeveria e së cilës u rrëzua nga ushtria në shkurt, u dënua me dy vjet burg sipas nenit 505 (b) dhe dy vjet burgim sipas Aktit të Fatkeqësive Natyrore, tha Zaw Min Tun, një zëdhënës i juntës ushtarake të vendit.
Një vit më parë, partia e saj Lidhja Kombëtare për Demokraci fitoi zgjedhjet, gjë që e riktheu atë dhe partinë e saj në detyrë për një mandat të dytë pesëvjeçar radhazi pas dekadash sundimi të dominuar nga ushtria. Ushtria rimori pushtetin më 1 shkurt, duke arrestuar Suu Kyin dhe shumë të tjerë dhe duke e zhytur Myanmar-in në trazira pas një periudhe të shkurtër stabiliteti dhe premtimesh për më shumë demokraci.
Karriera e Suu Kyi-t ka patur momente ekstreme, nga nivelet më të larta – fitimi i çmimit Nobel për Paqe – deri te momentet më të ulëta, 15 vjet në arrest shtëpie gjatë qeverisë së mëparshme ushtarake. Suu Kyi u martua me studiuesin e Universitetit të Oksfordit, Michael Aris, me të cilin pati dy djem.