Ekzistojnë katër qëllime kryesore për algoritmin e TikTok, të cilat kompania i përkthen si “vlera e përdoruesit”, “vlera afatgjate” “vlera e krijuesit” dhe “vlera e platformës.” Ky grup synimesh është nxjerrë nga një dokument që ofron detaje të reja se si aplikacioni video më i suksesshëm në botë ka ndërtuar një produkt kaq argëtues – për të cilin disa do të thoshin se shkakton varësi.
Dokumenti, i titulluar “TikTok Algo 101”, u prodhua nga ekipi inxhinierik i TikTok në Pekin. Një zëdhënëse e kompanisë, Hilary McQuaide, konfirmoi vërtetësinë e tij dhe tha se ishte shkruar për t’u shpjeguar punonjësve jo teknikë se si funksionon algoritmi. Dokumenti ofron një nivel të ri detajesh në lidhje me aplikacionin, duke ofruar mes të tjerash edhe një pasqyrë të të kuptuarit të natyrës njerëzore nga kompania – tendencat tona drejt mërzitjes, ndjeshmëria jonë ndaj shenjave kulturore – që ndihmojnë në shpjegimin se pse është kaq e vështirë për t’u shkëputur.
Dokumenti gjithashtu heq perden e lidhjes së pandërprerë të kompanisë me kompaninë e saj mëmë kineze, ByteDance, në një kohë kur Departamenti i Tregtisë i SHBA po përgatit një raport nëse TikTok përbën një rrezik sigurie për Shtetet e Bashkuara.