Në dosjen e email-eve të padëshiruara (spam) nuk janë të gjitha mesazhet të pavlera. Laura Spears nga Oakland County, Michigan, është dëshmitare për këtë, pasi kohët e fundit zbuloi një çmim llotarie prej 3 milionë dollarësh të “fshehur” te mesazhet e padëshiruara.
Spears kishte blerë një biletë Mega Millions në faqen e Lotarisë së Miçiganit për shortin e 31 dhjetorit 2021. Ajo kombinoi pesë numra për të fituar 1 milion dollarë, kishte dhe Megaplier që e shumëfishoi çmimin e saj me tre.
“Pashë një reklamë në Facebook se jackpoti i Mega Millions po bëhej mjaft i lartë, kështu që hyra në llogarinë time dhe bleva një biletë”, u tha Spears, 55 vjeç, zyrtarëve të Lotarisë së Miçiganit. “Disa ditë më vonë, po kërkoja një email nga dikush, kështu që kontrollova dosjen e mesazheve spam në llogarinë time të emailit. Ishte ky momenti kur pashë një email nga Lotaria që thoshte se kisha fituar një çmim. Nuk mund ta besoja atë që po lexoja, kështu që u futa në llogarinë time të Lotarisë për të konfirmuar mesazhin në email. Gjithçka është ende kaq tronditëse për mua që kam fituar vërtet 3 milionë dollarë!”
Spears, e cila mori çmimin e saj në selinë e Lotarisë javën e kaluar, tha se planifikon t’i ndajë fitimet e saj me familjen dhe të dalë në pension më herët.