Presidenti rus Vladimir Putin mund të intensifikojë ofensivën në Ukrainë pavarësisht disfatave të ushtrisë dhe sanksioneve të forta ekonomike. Paralajmërimi vjen nga agjencitë amerikanë të zbulimit të cilat parashikojnë se javët në vazhdim do të jenë shumë të vështira. Ato vlerësojnë se 2 deri në 4 mijë trupa ruse janë vrarë deri më tani, por situata rrezikon të përkeqësohet për ukrainasit, ndërsa rezervat e ushqimeve dhe ujit do të mbarojnë për dy javë.
“Ka pak gjasë që putin të ndalet nga disfatat e pësuara, madje me shumë mundësi do të përshkallëzojë ofensivën për të arritur qëllimin e neutralitetit ushtarak të Ukrainës, nëse kjo gjë nuk arrihet me negociata. Ne vlerësojmë se Putin është i zëmëruar që perëndimi nuk e respekton dhe e percepton këtë si një luftë që nuk mund t’ia lejojë vetes të humbë”, tha Avril Haines, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës.
William Burns, drejtor i CIA-s mendon se Moska nuk do të tërhiqet.
“Mendoj se Putin është i zemëruar dhe i frustruar tani. Me shumë mundësi ai do të intensifikojë sulmet për të shkatërruar ushtrinë ukrainase, pa marrë parasysh viktimat civile. Mendoj se Ukrainën e presin dy javë shumë të shëmtuara”, tha ai.
Burns thotë se CIA nuk është në gjendje të përcaktojë se si do t’ia arrijë Putini qëllimit të tij për marrjen e Kievit dhe zëvendësimin e Zelensky-t me një qeveri pro Moskës.
Sipas tij Moska nuk i kishte menduar vështirësitë me të cilat do të përballej e aq më tepër nuk e kishte parashikuar unitetin e komunitetit ndërkombëtar përballë ofensivës.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u bëri edhe një herë thirrje vendeve aleate që të mbyllin hapësirën ajrore të vendit të tij, për të shmangur atë që ai e quajtur katastrofë njerëzore.
Ai tha se Ukraina është më e rrezikuar se kurrë në këto momente. “Rusia përdor predha, avionë dhe helikopterë kundër nesh, kundër civilëve, qyteteve tona, kundër infrastrukturës sonë. Është detyra njerëzore e botës që të kundërpërgjigjet”, tha Zelensky në një dalje televizive. Ai tha se ukrainasit kanë treguar në këto dy javë se janë kanë ditur të rezistojnë dhe se nuk do të dorëzohen.