Teksa nuk na ndajnë shumë nga protesta e orës 18:00 në kryeqytet pas vrasjes së të riut Klodian Rasha, i cili dy ditë më parë theu orën policore dhe nuk iu bind urdhrit të policit për të ndalur, veprim që e pagoi me jetën e tij, policia ka ndërmarrë të gjitha masat për t’iu paraprirë çdo situatë të mundshme.
Siç shihet dhe nga fotot në kryeministri do të stacionohen dhe autoblinda të policisë. Po ashtu Bezat raporton se në terren ditën e sotme të angazhuar në ruajtjen e sigurisë sot në protestë do të jenë 800 punonjës policie. Kujtojmë se dje për 5 orë me radhë u mbajt një protestë, e cila u shoqërua me dhunë dhe përplasje. Irritimi dhe zemërimi qytetar për ngjarjen në fjalë u zbraz mbi institucionet e vendit, ku qindra të rinj që dolën në protestë nuk kursyen asgjë.
Ata sulmuan dyert e dritaret e ministrisë së Brendshme fillimisht, për të vijuar me Kryeministrinë, e sheshin “Skënderbej”. Pas ngjarjes mbetën të plagosën 16 policë, njëri prej tyre në gjendje më të rëndë, pasi rrezikon të humbasë njërin sy. Policia arrestoi tre personat e proceduar 7 të tjerë, mes tyre edhe reperin Stresi, por këto masa dhe paralajmërimet policore duket se nuk do i ndalin protestuesit. Kujtojmë se në këtë orë, kryeministri Edi Rama ka njoftuar në dalje për mediat, ku do të japë qëndrimin e tij në lidhje me ngjarjen e rëndë.