Deklarata:
Ndalimi për raportim, dhuna fizike e verbale dhe shoqërimi i pajustifikuar në ambientet e paraburgimit të gazetarit Xhoi Malësia, gjatë mbrëmjes së datës 10.12.2020 nga efektivë të Komisariatit Nr.2 të Drejtorisë së Policisë Tiranë, për më tepër në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, është një rast thellësisht i papranueshëm dhe i dënueshëm.
Përdorimi i panevojshëm dhe shproporcional i forcës nga ana e Policisë së Shtetit ndaj çdo qytetari përbën shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut! Duke shprehur shqetësimin e madh për klimën në rritje armiqësore, veçanërisht ndaj gazetarëve, nga ana e zyrtarëve të lartë të administratës shtetërore dhe në veçanti të disa efektivëve dhe drejtuesve të caktuar të Policisë së Shtetit, i kërkoj organit të Prokurorisë të nisë pa vonesë një hetim të pavarur për të vënë para përgjegjësisë ligjore frymëzuesit, urdhëruesit dhe autorët e kësaj dhune fizike e verbale jo vetëm ndaj gazetarit Xhoi Malësia, por dhe ndaj qytetarëve e përfaqësuesve të shoqërisë civile.
I bëj thirrje publike Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe çdo efektivi me uniformë të bëjnë kujdes maksimal në zbatimin me përpikmëri të ligjit dhe misionit të Policisë së Shtetit, të distancohen menjëherë nga aktet e shëmtuara dhe të dënueshme të dhunës, si dhe të kenë parasysh se liritë dhe të drejtat themelore të njeriut garantohen nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në çdo kohë dhe duhen respektuar nga çdo autoritet.
Duke apeluar me forcë heqjen dorë nga dhuna fizike e psikologjike, kërcënimi dhe çdo lloj presioni ndaj gazetarëve, sidomos gjatë ushtrimit të detyrës, shpreh solidaritetin tim të plotë me ta dhe i inkurajoj të vijojnë misionin e tyre me guxim, pa u trembur, në funksion të interesit publik e kombëtar, transparencës e llogaridhënies në çdo nivel shtetëror.