Deputeti Vullneti Sinaj ka reaguar së fundmi lidhur me situatën aktuale që është përfshirë vendi ynë gjatë këtyre ditëve.
Prej katër ditësh vijon protesta qytetare për 25- vjeçarin, Klodian Rasha, i cili u vra nga oficeri i policisë mesnatën e 8 dhjetorit.
Sinaj shprehet se opozita mundohet të përfitoj politikisht duke përdorur të rinjtë për të shkatërruar vendin në protesta të tilla.
“Duhet reflektim !”, shkruan deputeti Sinaj në postimin në Facebook, duke e shoqëruar me tingujt e veprës orkestrales “Shi lotësh” të kompozitorit Aulon Naçi, me thirrjen: “Muzika le të zbusë shpirtrat e të na bashkojë në paqe!”
Mesazhi i plotë
Pak ditë më parë, jeta e një të riu u pre në mes në mënyrë tragjike. Një akt i kryer nga një efektiv policie, i cili është arrestuar tashmë dhe është vendosur përpara drejtësisë. Përpara këtij akti fatal dhe dhimbjes për humbjen e 25-vjeçarit duhet të ndalonim të gjithë si popull, të heshtnim, e ta qanim të gjithë tragjedinë që ka ndodhur.
Por, në vend të keqardhjes, respektit për jetën e ndërprerë në mes, ne shohim që politika mundohet të përfitojë politikisht duke përdorur disa të rinj për të shkatërruar vendin.
Opozita e Ilir-Sali-Luli-Monika përpiqet të kapitalizojë padrejtësisht, thirrjen e drejtë të shumëkujt për drejtësi. Për këta njerëz pushteti është qëllim në vetvete, aq sa janë të gatshëm të djegin dhe vendin. Duhet reflektim! Do të thoja që këta “SHI LOTESH” janë shumë domethënës në këtë moment. Falenderoj kompozitorin Aulon Naçi për orkestralen me këtë titull, e cila më nxit t’ju ftoj ta përjetojmë së bashku këtë “shi lotësh” për vendin tonë.
Kjo vepër për piano, orkestër harqesh, cyle dyjare, fyell, perkusion ka fituar çmimin e parë si vepra më e mirë orkestrale në Takimin Kombëtar të Orkestrave. Në fyell dhe cyle dyjare, Mjeshtri i Madh, Vendim Kapaj. Muzika le të na zbusë shpirtrat e të na bashkojë në paqe!