Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka vlerësuar marshimin e sotëm në Tiranë për Klodian Rashën si protestë model dhe paqësore.
Ai shton se pikërisht mbështetja e qytetarëve të Tiranës për marshimin e tërboi Ramën që nxit dhunë. Për Bardhin është i papranueshëm urdhri për të sulmuar protestuesit, dhuna ndaj fëmijëve apo helmimi masiv i Tiranës më gaz lotsjellës.
Postimi i Bardhit
Një protestë model, paqësore dhe që mori duartokitjen e qytetarëve që ndaluan makinat e tyre në trafikun e Tiranës gjatë kohës së marshimit drejt Drejtorisë së Policisë. Kaq ka mjaftuar dhe mbështetja e qytetarëve të Tiranës e tërboi sot Edi Ramën, duke i rrëzuar cilësimin 4 ditor , që i bënte të rinjve shqiptarë si “huliganë”dhe “të blerë”.
Urdhri për të sulmuar protestuesit pa asnjë shkak është kriminal dhe provokon dhunë. Çdo pengesë për një protestë paqësore apo ndalimi i qytetarëve pa kryer asnjë akt dhune është i paligjshëm. Helmimi masiv i Tiranës me gaz lotsjellës dhe dhuna ndaj fëmijëve është banditizëm shtetëror.
Dhunën po e nxit Edi Rama. Arsyeja e vetme është frika që tashmë shumica e shqiptarëve nuk e pranon dhe po kundërshton arrogancën, dhunën dhe keqqeverisjen e tij 7 vjeçare. Ai është frymëzuesi dhe autori i shndërrimit të Policisë së Shtetit në një bandë që lufton qytetarët. Që pasi të vret, të pengon edhe të protestosh.