SHBA- Vaksinat e sapo-miratuara kundër koronavirusit u nisën me kamionë-frigoriferë në kontenierë me temperatura tepër të ftohta, nga një fabrikë e kompanisë Pfizer në Kalamazu të Miçiganit në orët e para të së dielës drejt pikave të shpërndarjes në të gjithë Shtetet e Bashkuara.
Vaksinimi kundër COVID-19 do të fillojë “shumë shpejt, shpresojmë që të hënën,” tha Stephen Hahn, komisioner i Administratës amerikane për Ushqimin dhe Barnat, në një interrvistë për rrjetin CNN. Më shumë se 184,000 ampula u dërguan me kamionët e parë nga fabrika e Pfizerit.
Punonjësit e shërbimeve shëndetësore si dhe punonjësit në qendra për të moshuarit do të jenë të parët që vaksinohen.
Vaksina e prodhuar me bashkëpunim nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech u miratua të premten në darkë për përdorim emergjent tek individë mbi moshën 16 vjeç. Ndërkohë do të vazhdojnë analizat klinike për të parë nëse edhe fëmijë nën 16 vjeç si dhe gratë shtatzëna mund të vaksinohen, pasi këto dy grupime nuk ishin përfshirë në numër të mjaftueshëm në provat klinike.
Ndërkohë, autoritetet po analizojnë edhe vaksinën kandidate të kompanisë Moderna.
Zyrtarët paralajmërojnë se edhe për disa muaj, kërcënimi i koronavirusit mbetet i lartë. “6-8 javët e ardhshme do të jenë të tmerrshme,” tha guvernatori i Nju Xhërsit, Phil Murphy.