Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, kanë premtuar se BE-ja do të ketë si prioritet që t’u ndihmojë vendeve të Ballkanit Perëndimor me vaksinën kundër COVID-19.
“Ne kujdesemi edhe për fqinjët tanë. Bashkimi Evropian do të koordinoj donacionet e vaksinës nga shtetet anëtare, posaçërisht për mbrojtjen e punëtorëve shëndetësorë në Ballkanin Perëndimore dhe fqinjësi”, ka thënë Von der Leyen, duke folur pas samitit të fundit të BE-së, ku përgatitjet për vaksinim ishin ndër temat kryesore.
Burimet nga takimi i shefave të shteteve apo qeverive të vendeve anëtare të BE-së kanë thënë se në takim, Von der Leyen ka njoftuar se Komisioni Evropian tashmë ka porositur doza të mjaftueshme për vaksinimin e më shumë se 750 milionë qytetarëve. Pasi BE-ja ka rreth 450 milionë banorë, nga ky kontingjent i vaksinave, do tu ndahen edhe vendeve të Ballkanit Perëndimor si prioritet, por edhe vendeve tjera të botës që kanë të ardhura të ulta apo të mesme.
Burimet nga BE-ja kanë sqaruar se vaksinat për vendet e Ballkanit do të sigurohen paralelisht nga dy kanale. Më i rëndësishmi është furnizimi përmes koalicionit ndërkombëtare COVAX ku BE -ja po ashtu ka rolin kryesor dhe tashmë ka dhënë si donacion 500 milionë euro.
Burimet e BE-së vlerësojnë se nga vendet e Ballkanit, Kosova do të kualifikohet për të marrë vaksinat falas përmes COVAX-it, sepse është vendi më i varfër i rajonit bazuar nga të ardhurat për kokë banori. Vaksinat që do të sigurohen përmes COVAX-it do të distribuohen përmes UNICEF-it.