TIRANË-Prej katër ditësh Shqipëria është pa Ministër të Brendshëm. Sandër Lleshaj i cili mbante këtë post ka dhënë dorëheqjen pas protestave që nisën në vend për vrasjen e 25 vjeçarit, Klodian Rashës nga një efektiv i policisë.
Këtë javë pritet që kryeministri Edi Rama të zbulojë se kush do të jetë emri i ri që do mbajë këtë post.
Rama në reagimin që bëri pas vdekjes së të riut tha se ministri Lleshaj i kishte paraqitur dorëheqjen që pas ngjarjes, mirëpo ai i kishte kërkuar që të mbetej në detyrë, së paku deri në kthimin e tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky njoftim vjen në një kohë shumë kritike për vendin pasi qytetarët janë në kulmin e revoltës së tyre. Njerëzit kanë dalë në sheshe të qyteteve ku ndodhen dhe kanë protestuar në forma të ndryshme për vrasjen e të riut. Nuk dihet se kush do të jetë Ministri i ri/ e re që do mbajë këtë post si dhe mënyra se si do të pritet nga qytetarët.