ITALI-Kryeministri Giuseppe Conte ka paralajmëruar për një mbyllje të mundshme të Italisë gjatë Krishtlindjeve dhe Vitit të ri. Italia është shndërruar në një “zonë të kuqe”, si vatër infeksioni dhe, rrezikon të futet në një valë të tret të pandemisë.
Ndërkohë, kryeministri Conte ka thënë se duhet një ndërgjegjësim dhe një shtrëngim i masave parandaluese gjatë Krishtlindjeve në mënyrë që të parandalohet një rritje e numrit të infektimeve.
“Ne të gjithë kemi qenë të përfshirë në betejën kundër Covid-19 për shumë muaj, me sakrifica të mëdha dhe të vogla. Komuniteti ynë kombëtar, përkundër një mijë vështirësive, ka arritur të tregojë një frymë të fortë kohezioni dhe një ndjenjë të madhe përgjegjësie. Unë jam i bindur se ne do të vazhdojmë ta tregojmë këtë qëndrueshmëri edhe në javët në vijim, me rastin e festave të Krishtlindjeve. Ne duhet të vazhdojmë të angazhohemi dhe të qëndrojmë vigjilent për të luftuar virusin “, shkruan kryeministri Giuseppe Conte.
Vendimi përfundimtar do të merret ditën e sotme nga komiteti teknik i ekspertëve. Ndër masat që mund të merren janë ndalimi i qytetarëve gjatë Krishtlindjeve, festat e tjera të fundvitit dhe në datën 1 janar, duke përbërë përjashtim vetëm lëvizja mes komunave të vogla. Gjithashtu, mund të qëndrojnë të mbyllura edhe vendet e argëtimit të cilat grumbullojnë njerëz, baret, restorantet, pastiçeritë dhe dyqanet dhe ndoshta do të shoqërohet edhe me një shtetrrethim.
Që prej fillimit të pandemisë në Itali janë shënuar 1,843,712 raste infektimi dhe kanë ndërruar jetë 64,520 pacientë.