RRËSHEN– Dosja.al ka zbardhur detaje nga vrasja e Anton Kelit, kushëririt të Armando dhe Prengi Gjinit që u ekzekutua një natë më parë në Rrëshen. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije për Dosja.al se në drejtim të Kelit është qëlluar gjashtë herë me automatik.
Tre prej këtyre plumbave e prekën në organe jetësore duke i marrë jetën. Shpresa për të pikasur autorët janë kamerat e sigurisë të biznesve që ndodhen në zonën ku dhe u bë atentati. Pamjet filmike janë sekuestruar dhe pritet që të shqyrtohen për të pasur një panoramë më të qartë të ngjarjes.
Anton Keli, 51 vjeç, u qëllua për vdekje pasditen e djeshme në Rrëshen. Ai ishte kushëriri i Tonin dhe Preng Gjinit, dy persona që rrjedhin nga një familje që prej vitesh është në hasmëri me fisin Reçi. Edhe kjo ngjarje dyshohet se ka lidhje me sagën e hakmarrjeve por vetë familja Reçi është tërhequr duke deklaruar se nuk kanë asnjë lidhje me këtë ekzekutim. Keli jetonte jashtë shtetit bashkë me familjen, por erdhi në Shqipëri për të takuar të ëmën për festat e fundviti, që nuk arriti t’i priste.