Pandemia ndryshoi modalitetet e studimit, por jo koston e tij. Edhe pse online, tarifa është po ajo dhe duhet të paguhet brenda semestrit të parë.
Por, përpara se ta bëjnë këtë gjë, studentët duhet të sigurohen se nuk janë pjesë e një ndër kategorive që përfitojnë arsim falas apo me pagesë të pjesshme. Dhe kjo gjë duhet të bëhet përpara se të trokasë sezoni i provimeve, në të cilin nuk futen pa vërtetuar se kanë shlyer detyrimet financiare në një vit aspak të favorshëm për universitetet.
PËRFITUESIT
Duke qenë i vetmi burim i përfillshëm i të ardhurave në universitete, thuajse të gjitha fakultetet kanë afishuar në faqet e tyre elektronike njoftimet e vitit shkollor, duke u kujtuar studentëve se duhet të bëjnë pagesën e tarifës së studimeve sa më parë.
Diku, midis rreshtave dhe neneve të pafundme, janë edhe kriteret e dokumentet për ata që duan t’i shmangen kësaj pagese, qoftë edhe pjesërisht. Janë dymbëdhjetë kategori që vendimet i përjashtojnë nga pagesa e studimit. Bëhet fjalë për studentët që vijnë nga familje me ndihmë ekonomike, studentët me aftësi të kufizuara apo ata që kanë së paku njërin prind të tillë, studentët me prindër pensionistë apo kur njëri prej tyre ka ndërruar jetë.
Në listën e kategorive të përjashtuara nga pagesa janë edhe familjet që kanë tre apo më shumë fëmijë studentë (në këtë rast i treti e lart përfitojnë bursë) apo bashkëshortët, që janë të dy studentë, dhe me fëmijë në ngarkim. Studentët jetimë apo ata që kanë humbur kujdestarinë prindërore, vërtetuar kjo me vendim Gjykate, studentët e identifikuar si viktima të trafikut, ata të punonjësve të rënë në krye të detyrës, anëtarët e komunitetit rom e egjiptian si dhe fëmijët e ish-të përndjekurve politikë.
Të gjitha këto bëhen vetëm në rast se aplikuesi, për përjashtim tarife, vërteton përmes dokumenteve që i përket kategorisë në fjalë. Në morinë e kategorive përfituese, sigurisht nuk mund të mungonin edhe ekselentët. Ata që në gjithë vitin studimor sigurojnë mestarë mbi 9 si dhe studentë e pranuar rishtazi, por që mesatarja aritmetike e gjimnazit dhe notave të provimeve të maturës është në kufirin 9-10. Këta të fundit përfitojnë, veç saj, edhe 10 mijë lekë shtesë.
Dy javë pas marrjes së kërkesës, universitetet bëjnë verifikime edhe nga ana e tyre në institucionet përkatëse dhe emri i tyre hiqet nga lista e detyrimeve për shkollim.
Në çdo IAL janë bordet ata që vendosin brenda një muaji nga aplikimi. Vendimi ka dhe penalitete. Ata që në vitin pasardhës akademik kanë një mesatare nën 6, e humbasin bursën. Prej dy vitesh, të gjithë studentët e bachelor paguajnë 50% tarifë, gjë e cila nuk vlen për studimet master. Përjashtim bëjnë vetëm kategoritë e brendashkruara në tabelë, së cilës i nënshtrohen e njëjta procedurë aplikimi në universitet, ashtu si në bachelor.