Zbardhet dëshmia e punonjësit të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme në Policinë e Tiranës, Admir J. i cili ka treguar se si ka kontrolluar për uniformën dhe për armët, njësitë e Shqiponjave para se të dilnin në shërbim natën që u vra Klodian Rasha.
I marrë në pyetje ai tregon se ka urdhëruar një patrullë të policisë Shqiponja 5 për të kërkuar për mjete të kundraligjshme dhe pas disa minutash një nga policët raportoi se kishte gjetur në tokë një armë pistoletë.
Këtë rrëfim e ka rimarrë prokuroria e cila po e heton ngjarjen duke përjashtuar tërësish Policinë e Shtetit nga ky proces. Por ja se çfarë ka deklaruar polici Admir J.
DESHMIA
“Në orën 01.09 isha në lëvizje pranë Presidencës dhe kam dëgjuar në radio punonjësin e policisë Erion Gj. I cili kërkoi ndihmë pasi një mashkull me gjatësi rreth 1.70 cm, me tuta të zeza, dhe xhup gri u ishte larguar pas thirrjes së tyre dhe iu janë vënë në ndjekje, pranë vendit të quajtur Karburant Kupola, në rrugën Dritan Hoxha.
Menjëherë kam urdhëruar me radio shërbimet e patrullave të policisë që ti shkonin në ndihmë.
Pas një minute patrulla e policisë Shigjeta 5, më raportuan në radio se kishin mbërritur në rrethrrotullimin e Zogut të Zi dhe i kërkuan sallës së komandimit adresën më të saktë se ku ndodheshin dy punonjësit e policisë Erion Gj. dhe Nevaldo Hajdaraj, të cilët kërkonin mbështetje pasi ishin në ndjekje të personit.
Më pas punonjësi i policisë Erion Gj raportoi se ndodheshin diku te Shkolla e Partisë në afërsi të drejtorisë së doganave.
Në vijim Erioni i kërkoi me radio sallës së komandimit një ambulancë, por as mua nuk më tregoi arsyen pse e kërkonte ambulancën. Unë isha në lëvizje në drejtim të tyre dhe kur kam arritur në rrugën Dritan Hoxha, kam konstatuar mjete policie dhe motora policie përballë një dyqani pjesësh këmbimi.
Sapo mbërrita aty kontaktova me punonjësen e policisë të Shqiponjave…A.P e cila më tha… “komandant është përdorur arma nga punonjës policie.”
Iu afrova punonjësve të policisë që ishin rreth 20 metra më tutje dhe konstatova se në tokë gjendej një person mashkull, për të cilin në atë çast ka mbërritur një personel mjekësor me autoambulancë dhe e mori për ndihmë të shpejtë mjekësore dhe u drejtua për në spitalin ushtarak.
Pyeta punonjësin e policisë Erion Gj dhe më tha se kolegu i tij, punonjësi i policisë Nevaldo Hajdaraj kishte përdorur armën e tij pistoletë të shërbimit duke qëlluar personin që kishin në ndjekje pasi ishte rrezikuar nga ai, person i cili ishte pikërisht ai që gjeta në vendin e ngjarjes.
Iu afrova punonjësit të policisë Nevaldo Hajdaraj dhe më tha se kishte shtënë me armë ndaj personit në fjalë gjatë ndjekjes pasi ishte ndierë i rrezikuar nga ai.
Njoftova sallën e komandimit dhe shefin e sektorit në lidhje me ngjarjen.
Pasi e pyeta se ku e kishte armën e tij pistoletë të shërbimit, Nevaldua më tregoi se e kishte në vendin ku mbahet arma dhe tha se e kishte me fishek në folenë e fishekut. Ai më tregoi se kishte qëlluar dy herë në drejtim të këmbëve, por nuk dinte se ku e kishte kapur plumbi atë person.
Të dy punonjësit e policisë Erion Gj. Dhe Nevaldo Hajdaraj më dorëzuan armën e tyre pistoletë të shërbimit në gjendjen siç ishin në ato çaste.
Kam ndejtur me ta duke i kërkuar të qetësoheshin dhe i kam marrë me vete për në ambientet e drejtorisë së policisë.
Në njësinë që unë drejtoj në gjendje punë është vetëm një kamera trupi dhe punonjësit e policisë Erion Gj. Dhe Novaldo Hajdaraj nuk kanë patur kamera trupi.
Ju sqaroj se kamerat e trupit që policët kanë patur në pajisje, u janë dëmtuar dhe janë dorëzuar në magazinë. Nuk mbaj mend orën e ngjarjes, kam urdhëruar patrullën e policisë Shigjeta që të kontrollonin itenerarin e ndjekjes së personit nga punonjësit e policisë, për evidentimin e ndonjë sendi të kundraligjshëm.
Pas disa minutash punonjësi i policisë Fajton A. Më njofton me telefon se kishte gjetur një armë zjarri tip pistoletë në rrugë në afërsi të Drejtorisë së Doganave.
Menjëherë kam raportuar në Drejtorinë e policisë në lidhje me sigurimin e punonjësve të policisë Erion Gj. Dhe Nevaldo Hajdaraj. Edhe patrulla e policisë Shigjeta 5 nuk kanë patur kamera individuale trupi për mungesë të tyre”.
Marrë nga Top Channel