Kryetari I opozitës Lulzim Basha e cilësoi si me rrezik aktin e çuarjes në Gjykatën e Hagës të çështjes së kufirit detar, me qeverinë aktuale. I pyetur nga gazetarët Basha tha se nëse qeveria Rama përgatit procesin për në Hagë, ky është një rrezik “kombëtar”, duke lënë të kuptohet indirekt se çdo procedurë për “Detin” duhet të bëhet pas zgjedhjeve të 25 prillit.
“Prej 10 vitesh pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, qëndrimi im ka qenë që cështja duhet të trajtohet në organet e drejtësisë ndërkombëtare. Sot Shqipëria ka nevojë urgjentisht të përgatisë fazën paraprake sepse kërkohet një punë shumë e madhe, për fat të keq nuk është momenti i përshtatshëm. 6 muaj përpara zgjedhjeve qeveria nuk ka legjitimitetin dhe shkallën e përgatitjes.
Mund të përbërë rrezik për interesat kombëtare nëse i lihet në dorë këtij kryeministri procesi i përgatitjes për çuarjen e cështjes në gjykatën ndërkombëtare. Ky hap të ndërmerret nga një qeveri legjitime e dalë nga zgjedhjet legjitime dhe demokratike. Procesi i përgatitjes është jashtëzakonisht voluminoz në cdo aspekt të parapërgatijes dhe dërgimit” tha Basha.