Ndërsa qeveria e opozita, po merren akoma me luftë personale, duke përdorur vrasjen e të riut Klodian Rasha, struktura policore “EUROPOL” e BE, ka hedhur hapin e parë, me propozimet drejtuar qeverisë shqiptare, për të bërë shtesa në Ligjin e Policisë së Shtetit.
Pas ngjarjes, partnerët policorë europianë, kanë konstatuar se policia shqiptare, nuk ka përfshirë në Ligjin Nr. 108/2014, datë 31.7.2014, katër kriteret standarde bazë, të pranimeve në shkollat policore dhe rekrutimet nga arsimimi jo policor.
Qysh pra 4 vitesh, në kuadër të reformimit të strukturës policore në Shqipëri, është kërkuar amendimi i këtij ligji, mbasi kriteret e pranimit në Shkollën Bazë të Policisë, në Akademinë e Policisë dhe në kurset bazë, nuk përcaktohen në ligj, por caktohen nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.
Por edhe në kriteret që cakton drejtori i policisë, ekspertët e EUROPOL, kanë konstatuar se këto krietere, nuk bëjnë “filtrimin” e personave që pranohen në arsimin e strukturave policore, por zbatohet formulari shabllon i punësimeve të nivelit të fundit në adminstratën publike.
Psh, në kriteret e pranimit në shkollën bazë, akademi e kurset bazë të policisë, kërkohet që aplikuesit të mos jenë të dënuar me vendim të formës së prerë; të mos jenë 1 cm më të shkurtër se gjatësia 170 cm; të jenë nga 18-30 vjeç e të mos kenë tatuazhe në pjesë të dukshme të trupit.
Por në ligjin e policisë shqiptare dhe kriteret e pranimit që cakton kryepolici Ardi Veliu, nuk janë futur kriteret bazë të rekomanduara e nga EUROPOL, që janë:
– Testi i drogës, nëse ka qenë apo është përdorues.
– Testi i Alkolit për 10 vitet e fundit.
– Verifikimi piskik klinik dhe testi i shëndetit mendor aktual.
– Të dhënat personale penale, qysh prej moshës 14 vjeç kur fillon detyrimi i përballjes me ligjin për të mitur.
– Varësia nga vese si bixhozi apo veprimtari të tjera, që cënojnë integritetin gjatë kryerjes së detyrës.
– Të dhënat për pjestarë të certifikatës familjare (bashkëshort/e, vëlla, prindër) nëse kanë patur apo kanë lidhje me vepra të rënda penale.
Këto kritere nuk ekzistojnë në formularin e shkollimit, pranimit apo punësimit të punonjësit të policisë, ndaj dhe ka policë me “CV” kriminelësh, me deformime psikike dhe me veprimtari antiligjore gjatë ushtrimit të detyrës.
Nga analizat paraprake që kanë bërë ekspertët e EUROPOL të vendosur në drejtorinë e Policisë së Shtetit, lidhur me vrasjen e Klodian Rashës; kanë konstatuar, se sjellja e policit vrasës, ka lidhje me faktin, se ai nuk i përmbushte 6 kriteret e mësipërme.
Jo se këto kritere, i ka hequr polici vrasës, por nuk i përcakton ligji në fuqi, sepse nuk i ka futur vetë Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme; duke bërë rekrutimin e policëve me kriteret e punësimit të sanitareve.