Kryeministri Edi Rama ishte sot në një komunikim online me komitetin e ekspertëve të Shqipërisë e Turqisë për situatën e COVID-19.
Rama u shpreh se megjithëse e panjohura vazhdon të mbetet përpara nesh, Shqipëria diti që të përballojë valën e parë të pandemisë.
“Komiteti i ekspertëve të Turqisë ka një meritë të veçantë për situatën. Turqia mori një sërë masash të distancimit social, edhe para se OBSh të thoshte se Covid-19 është pandemi botërore. Shteti turk është ndër vendet më të përgatitura ndaj pandemisë. Turqia ngriti Task-Frocën brenda Ministrisë së Shëndetësisë dhe kjo na ndihmoi edhe ne që të veprojmë me shumë shpejtësi dhe të ishim vend i përgatitur në përballjen e parë. Në këtë pandemi, e panjohura është përpara nesh, përherë”, tha Rama.
Edi Rama theksoi se Komiteti i Ekspertëve të Shqipërisë është njësoj si në vendet e zhvilluara, kurse shtoi se sistemi shëndetësor shqiptar ka qëndrueshmëri.
“Shqipëria ishte fillimisht vendi më pak i prekur në rajon, në të gjitha të dhënat që merren në konsideratë në këtë rast. Sot mund të themi se sistemi është i qëndrueshëm. Kemi pasur gjatë gjithë kohës Komitet Ekspertësh, që kanë treguar profesionalizmin e duhur, njësoj si në vendet e zhvilluara. Përballja ndaj armikut të padukshëm vazhdon”, deklaroi Rama.