Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi pasditen e sotme ka marrë detyrën në këtë dikaster. Gjatë fjalës së tij, Çuçi ka premtuar se me marrjen e detyrës do të punojë shumë që në përfundim të mandatit publiku të thoshte i mbaroi mandati Ministrit të Brendshëm dhe jo Ministrit të Policisë apo atij të rendit.
Sipas tij ‘po nuk u kuptua ky organizëm kaq i komplikuar Ministria e Brendshëm si e tillë, si e tërë, asnjë reformë qoftë edhe në policinë e Shtetit nuk do të ketë gravitetin e duhur.”
Rama: Në politikë është si në dramaturgji që vëmendjen e spektatorit nuk duhet ta marrë mënyra se si hyn aktori në skenë, por ka shumë rëndësi dalja nga skena e aktorit.
Përveç shprehjes së angazhimit tim maksimal për të justifikuar besimin e dhënë nga Kryeministri dhe nga grupi parlamentar dhe për të fituar besimin e publikut mbi të gjitha doja të thosha që në përfundim të mandatit tim do kisha dëshirë që publiku të thoshte i mbaroi mandati Ministrit të Brendshëm dhe jo Ministrit të Policisë apo atij të rendit. Gjë që për fat të keq ka qenë dhe vazhdon të mbetet një perceptim me gjithë përpjekjen shumë të madhe që bëri edhe Sandri për ta ndryshuar këtë mentalitet.
Sepse besoj fort dhe jam i bindur që po nuk u kuptua ky organizëm kaq i komplikuar Ministria e Brendshëm si e tillë, si e tërë, asnjë reformë qoftë edhe në policinë e Shtetit nuk do të ketë gravitetin e duhur. Kjo është dëshira ime dhe është një lloj premtimi, apo angazhim i imi.
Pak më parë në një postim në facebook, Çuçi ka inkurajuar dhe ka shprehur mbështetjen për punonjësit e Policisë së Shtetit, ndërsa theksoi se Policia e Shtetit ka edhe besimin e palëkundur të çdo shqiptari.
Çuçi kërkoi që ata të përmbushin me profesionalizëm detyrat e tyre, konform ligjit dhe me përgjegjësi të lartë qytetare.
Postimi i plotë:
Posti i Ministrit të Brendshëm është një funksion shumë i lartë publik dhe tejet i rëndësishëm në një kabinet qeveritar. Jo për konformitet tradite dhe jashtë çdo formalizmi, si fillim falënderoj Kryeministrin, që ma besoi mua këtë detyrë, mes shumë drejtuesve të tjerë nga radhët e Partisë Socialiste. Jam plotësisht i ndërgjegjshëm për peshën e madhe që ka Ministria e Brendshme në garantimin e rendit, sigurisë publike, jetës e pronës së qytetarëve, si dhe në përballjen e përditshme me paligjshmërinë.
Por ky institucion është më i gjerë se sa Policia e Shtetit, që natyrisht ka rol të pazëvendësueshëm brenda këtij dikasteri. Të mos harrojmë gjithashtu se prej Ministrisë së Brendshme varen shumë shërbime të tjera të domosdoshme për qytetarët. Në përfundim të mandatit tim do doja që publiku të thoshte, që i mbaroi mandati Ministrit të Brendshëm, jo Ministrit të Policisë apo Rendit. Dua të falënderoj paraardhësin në krye të kësaj Ministrie, për punën e bërë në adresimin e sfidave që lidhen me sigurinë, rendin publik, pushtetin vendor, emigracionin dhe shumë e shumë çështje të tjera që mbulon Ministria e Brendshme.
Inkurajoj në mënyrë të veçantë dhe mbështes pa asnjë mëdyshje të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, kësaj organizate solide, që prej krijimit të shtetit shqiptar ka mbajtur një barrë shumë të madhe. Policia e Shtetit ka mbështetjen time absolute dhe besimin e palëkundur të çdo shqiptari. Ju ftoj të përmbushni detyrat tuaja me profesionalizëm, konform ligjit dhe me përgjegjësi të lartë qytetare. Faleminderit!