SHKODER– Një javë pas protestës së dhunshme që u zhvillua në qytetin e Shkodrës, një tjetër grumbullim ka nisur sot në sheshin “Luigj Gurakuqi”. Në rrugët e qytetit është shpërndarë një njoftim dhe sot në mesditë pritet grumbullimi i protestuesve të cilët nuk kanë një “kryesues” apo një axhendë të qartë për itinerarin e tubimit. Policia e Shtetit ndërkohë ka marrë në mbrojtje disa institucione.
Javën që shkoi, qindra protestues nisën një marshim paqësor në rrugët e Shkodrës dhe më pas, tubimi u kthye në një manifestim dhune. Protestuesit shkatërruan dhe dogjën sendet që ndodheshin brenda selisë së Partisë Socialiste në Shkodër, ndërsa PD dhe kryebashkiakja Voltana Ademi u distancuan nga aktet e dhunës.
Megjithatë, policia vijoi me procedimin e tyre, ndërsa PS dhe kryeministri Edi Rama i krahasuan opozitarët me grupimin terrorist të Boko Haram. “Historia njeh disa raste kriminale me fëmijët, por që të shfaqej në Shqipëri si streha e fundit e maskarallëkut të politikës opozitare kjo është tejet e dhimbshme!”, shkruante Rama të shtunën pas protestës në Shkodër.