Brilant Martinaj, i shpallur në kërkim si i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e efektivit të FNSH-së, Xhulio Prela ndodhet në Turqi për momentin. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se Martinaj është në një spital në Turqi me familjarët, për arsye shëndetësore.
I riu do të kthehet brenda javës në Shqipëri ku do të shkojë me këmbët e tij në komisariat për tu dorëzuar dhe për të sqaruar çështjen në të cilë dyshohet se është përfshirë. Mësohet gjithashtu se Martinaj pretendon se është i pafajshëm dhe se po akuzohet vetëm për faktin se ka kaluar në atë zonë, në të njëjtën orë me kohën kur ka ndodhur krimi i rëndë.
Ai ka gjithashtu edhe një alibi të fortë, që do ta tregojë vetë para unifomrave blu. Sot u vu në pranga Nikoll Sherrniku, që akuzohet për vrasjen e Prelës. Sherrniku do të dalë të hënën (21 dhjetor) para trupit gjykues ku do të njihet me masën e sigurisë.
Prela u vra mëngjesin e 5 dhjetorit, në zonën e njohur si “Gajush”, në afërsi të Lezhës. Tashmë policia është në kërkim edhe të armës së krimit.