ITALI-Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me zhdukjen e çiftit Teuta dhe Shpëtim Pasho, trupat e të cilëve u gjendën të copëtuar dhe të futur në 4 valixhe, disa ditë më parë në Sollicciano të Italisë.
Ngjarja ka tronditur publikun dhe mediat, të cilat po merren gjerësish me këtë çështje. Së fundmi në mediat italiane është publikuar në pistë e dytë hetimi, e cila është një shtëpi që ndodhet në Novoli, përveç asaj që ndodhej në Pantano, që mund të ketë lidhje me zhdukjen e bashkëshortëve Pasho. Në këtë apartament, çifti shqiptar mund të ketë jetuar gjatë kohës që qëndronin në Itali.
Hetuesit dyshojnë se Shpëtimi dhe Teuta, që në momentin që kanë mbërritur në Itali mund të kenë qëndruar në këtë apartament, e jo në Pantano, ku ndodhej apartamenti i Elonës, ish-partneres së djalit të tyre, Taulantit. Duke folur për La Repubblica, avokati i Elonës tha se çifti i bashkëshortëve qëndronin në zonën e Novoli-t.
“Më 2 nëntor ajo ka ngrënë drekë së bashku me bashkëshortin, vetëm, në shtëpinë e tyre në Pantano, ku jetonin,“-ka thënë ai.
Gjithashtu, është vënë në dukje dhe rrëfimi i vajzës së çiftit, Vittoria Pasho, që la të kuptohej se ekzistonte edhe një tjetër shtëpi, por pa dhënë shumë detaje rreth saj.
Sipas La Repubblica, nëse konfirmohet se apartamenti në Novoli ka ekzistuar, kjo do të kishte një rol thelbësor në zbardhjen e ngjarjes, pasi mund të jetë vendi ku u krye krimi, e madje edhe vendi ku trupat e tyre qëndruan për 3 vjet, përpara se të përfundonin të futur nëpër valixhe.
Ngjarja e rëndë u raportua më 15 dhjetor nga mediat italiane. Burrë e grua u gjetën të copëtuar dhe të futur në tre valixhe, pesë vite pas zhdukjes. Ata u gjetën pranë burgut ku ka vuajtur dënimin djali i tyre për trafik droge, nga ku mendohet të ketë marrë shkak edhe vrasja. Nuk përjashtohet edhe një tjetër pistë, ajo e një sherri me të dashurën e djalit.