Kthesë e fortë në hetimet për vrasjen dhe masakrimin e çiftit shqiptar në Itali.
Sipas gazetës La Nazione, policia e Firences ka arrestuar një grua shqiptare 36-vjeçare për vrasjen e Shpëtim dhe Teuta Pashos.
Bëhet fjalë për ish-të dashurën e Taulant Pashos, djalit të çiftit të masakruar.
Sipas gazetës, e arrestuara, e cila quhet Elona Kaleshi, jetonte me Taulantin në kohën e zhdukjes së çiftit të vrarë.
Sipas urdhër-arrestit të prokurores, Elona akuzohet për vrasje, fshehje të krimit dhe masakrim të trupave.
Ajo u arrestua në Firence.
Trupat e çiftit Pasho u gjetën të shpërndarë në katër valixhe pranë burgut të Soliçianos në Firence të Italisë, pesë vite pas zhdukjes. Dyshja u zhdukën ditën që djali i tyre la qelinë e burgut, dhe u mungonin të gjitha sendet personale bashkë me 40 mijë euro që Shpëtimi kishte përfituar si dëmshpërblim pas një aksidenti në Shqipëri.
Taulant Pasho u gjet, dhe është sërish në burg në Zvicër. Ditën që ai u lirua nga burgu në Itali, Elona priste prindërit e tij në mënyrë që të gjithë bashkë t’i uronin mirëseardhjen nga burgu.
Por kjo gjë nuk ndodhi. Gjithsesi kjo ngjarje është ende e mbuluar me mister për drejtësinë italiane. Ata po hetojnë për prishjet e pazareve të të birit që ishte i ‘përlyer’ në trafikun e dogës, që mund t’i kenë ‘paguar’ prindërit dhe konfliktet e herëpashershme që kishin të ndjerit me Elonën.