Tiranë- Shqipëria firmos sot një marrëveshje dypalëshe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ekstradimet.
Marrëveshja pritet të firmoset në pallatin e Brigadave nga ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim dhe ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.
Në këtë ceremoni morën pjesë Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela dhe Kreu i SPAK, Arben Kraja.
“Është një ngjarje historike që shënon një hap të ri bashkëpunimi gjyqësor. Jemi mbledhur për të nënshkruar marrëveshjen e ekstradimit mes dy vendeve pas 100 vjetësh nga marrëveshja e parë. Marrëveshja e re zëvendëson traktatin dy palësh të ekstradimit i firmosur nga Faik Konica. Kjo marrëveshje është rezultat i një punë të gjatë dhe një bashkëpunimi shumë të ngushtë. Me marrëveshjen e re realizojmë përditësimin dhe kategorizimin e veprave penale mbi bazën e të cilave kërkohet ekstradimi. Një hap i rëndësishëm përpara në luftën kundër krimit. Marrëveshja shërben si një sinjal i qartë dhe i vendosur ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, se askush nuk do të gjejë asnjë strehë për t’iu shmangur zbatimit të ligjit penal në SHBA apo në Shqipëri. Akti që formalizojmë sot përmes këtij nënshkrimi, është shenjë e qartë e vullnetit të palëkundur të qeverisë shqiptare, në drejtim të zbatimit të ligjit dhe forcimit të shtetit të së drejtës, por edhe provë e mbështetjes së pakursyer të mikut dhe aleatit tonë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në realizimin e këtij objektivi të përbashkët”, deklaroi Gjonaj.