Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi shprehu sot kënaqësinë e tij për arritjet e realizuara siç tha nga Policia e Shtetit, arritje këto të vëna në pah nga një anketim i qeverisë suedeze mbi perceptimin e publikut për Policinë e Shtetit.
Gjetjet e hulumtimit shkencor të opinionit qytetar janë dëshmi e pakontestueshme e arritjeve të reformimit rrënjësor të Policisë së Shtetit, tha Çuçi, ku shumica dërrmuese e shqiptarëve aprovojnë punën e Policisë së Shtetit dhe shifrat e studimit, flasin qartë se jemi në kornizën europiane në shumë parametra të sigurisë.
“Ndjehem shumë mirë për këtë komunikim të policisë me publikun dhe ndryshim të punës së policisë nga publiku. Sondazhi vjen në një moment pak specifik, javën e kaluar kemi përjetuar një situatë pak jo të zakonshme, por që nxori në sipërfaqe atë kategori njerëzish që s’lënë pa hedhur baltë mbi punën e policisë dhe gjithë qeverisë. Rezultatet kanë dalë para atyre ngjarjeve. Tregojnë vjeshtën e 2020 se si e përcakton publiku punën e bërë nga policia”,- tha Çuçi.
Sa i përket sigurisë që ndjejnë qytetarët, çuçi tha se “Mesatarja e Europës është 81%, ne jemi 80%”.
Ndërsa për pyetjen e marrjes së ryshfeteve nga policët, Çuçi tha se “në 2013 ishte 74%, pra kaq qytetarë pranojnë se policët kërkojnë ryshfet, ndërsa sot jemi vetëm 57%”.
Po referuar sondazhit, ministri tha se Policia e Shtetit është sot shumë pak më e varur nga politika është apolitike, perceptimi mbetet një aspekt shumë i rëndësishëm me publikun. “Kemi lënë pas vende si Mbretëria e Bashkuar, Spanja apo Franca sa i përket perceptimit se sa e politizuar është Policia e Shtetit”.
“Jemi drejt fundit sa i përket përgjegjësisë që ne si publik kemi për të bashkëpunuar me Policinë e Shtetit. Jemi larg mesatares së BE, por prapë kemi bërë përmirësim”, shtoi ministri.
Ministri ndër të tjera falenderoi qeverinë suedeze që na asiston që prej 2013, për të rritur performancën, për t’i dhënë një fytyrë sa më komunitare Policisë së Shtetit.