Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, ka takuar sot ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi, i cili u emërua në këtë detyrë vetëm pak ditë më parë, pas dorëheqjes së Sandër Lleshajt.
Kim e ka uruar Çuçin për detyrën e re, si dhe i ka thënë se duhet respektuar e drejta e protestës paqësore, referuar protestave të fundit kundër vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasadorja Kim tha se ka rënë dakord me ministrin Çuçi për të forcuar bashkëpunimin SHBA-Shqipëri për sigurinë dhe sundimin e ligjit.
“U takova me ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi. Më erdhi mirë që mësova se kishte urdhëruar hetime për trajtimin e protestuesve. E drejta e protestës paqësore duhet të respektohet. Gjithashtu diskutuam rolin e Ministrisë së Brendshme në zgjedhje. Ramë dakord që të forcojmë bashkëpunimin SHBA-Shqipëri për sigurinë dhe sundimin e ligjit”, shkroi Kim.