Partia Demokratike ka hedhur akuza ndaj qeverisë, që sipas saj i ka dhënë tendera me vlerë 37 mln dollarë kompanisë së Safet Gjicit, kryebashkiakut të Kukësit.
Në një reagim, ish-deputetja Jorida Tabaku thotë se ky tender i është dhënë Safet Gjicit nëpërmjet kreut të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli.
“Taksat e shqiptarëve Edi Rama ia fal Safet Gjicit për interesa elektorale të PS ndërsa shqiptarët rrinë në qiell të hapur.
Më kot presin shqiptarët paketë ndihme nga Rama në kohë pandemie, paketë shpëtimi dhe rindërtimi. Rama taksat e tyre i çon në xhepin e Safetit për të blerë nevojtarët dhe për tu pasuruar.
Në 25 prill do ti tregojmë vendin hajdutëve të fatkeqësisë. Atyre që për 7 vjet vodhën buxhetin edhe në kohë fatkeqësie. Së bashku do të hapim një kapitull të ri për vendin! T’i japim fund kohës së Gjicëve dhe abuzimit me taksa në kurriz të shqiptarëve! Rama është arsye e thellimit të krizës përmes keqmanaxhimit dhe vjedhjes në kohë pandemie, një hajdut edhe në kohën e një flame të tillë”, shkruan Tabaku në Facebook.
Ndërsa në videon e publikuar nga Tabaku thuhet: “Fondi Shqiptar i Zhvillimit i drejtuar nga Dritan Agolli, i ka dhënë 37 mln dollarë punime tendera për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti një bashkimi shoqërish të kryesuara nga kompania Kevin Construtcion, themeluar nga Safet Gjicit.
Kompania fituese nuk është operatori që ka dhënë ofertën më të ulët ekonomike, ashtu sic nënvizohet nga kriteret e vendosura nga drejtuesi Dritan Agolli”