GREQI– Ministria e Jashtme greke ka lëshuar një deklaratë në faqen zyrtare mbi dekretin presidencial që u miratua dy ditë më parë për zgjerimin me 12 milje në detin Jon.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Dekreti Presidencial u lëshua në zbatim të ligjit ratifikues të Konventës së Kombeve të Bashkuara 1982 mbi Ligjin e Detit. Në njoftimin e Ministrisë thuhet se zgjerimi i detit me 12 milje është një e drejtë e patjetërsueshme e vendit.
“Është një hap i domosdoshëm për procesin e zgjerimit të zonës bregdetare të vendit në zonën e mësipërme, veprim i cili, sipas Konventës, është një e drejtë e patjetërsueshme e vendit” thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Dekreti i Presidentit thekson se Greqia rezervon të drejtën të ushtrojë të drejtat përkatëse në rajonet e tjera të territorit të saj, pasi ato rrjedhin nga Konventa për Ligjin e Detit, e cila pasqyron të drejtën ndërkombëtare.