Gjatë takimit me studentët e Universitetit Bujqësor, kreu i PD, Lulzim Basha u ndal edhe tek investimet në bujqësi dhe blegtori.
Ai tha se këto dy sektorë do të jenë prioritet i qeverisë së ardhshme duke garantuar ekspertët e ardhshëm, se nesër qeveria e re do të ketë detyrë kryesore për zhvillimin e këtyre dy sektorëve të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin dhe me potencial të jashtëzakonshëm.
“Sot avantazhi më i madh në bujqësi, në blegtori, në vendet e zhvilluara të botës është pikërisht dixhitalizimi dhe informatizimi. Tregu i prodhimit në fushën bujqësore dhe blegtorale ka veçoritë e veta dhe informacioni për këtë është kyç për vendimmarrje. Çfarë do të mbjellim? Si do të konkurrojë ky produkt me cilësinë e vet dhe me çmimin me të cilin ne e nxjerrim në treg? Cilat janë avantazhet e produkteve tona? Po a mundet një fermer i vetëm apo qoftë dhe një bashkim fermerësh ta bëjë këtë të mundur pa ndihmën e shtetit? Sigurisht që jo.
Prandaj është e rëndësishme që shteti të luajë rolin e vet në këtë sektor më shumë se çdo sektor tjetër. Për ti dhënë mundësinë fermerëve dhe blegtorëve shqiptarë ta kthejnë këtë informacion në mundësi për kultivim dhe për shitje të produkteve.
Kush arrin ta bëjë këtë me eficencë e ke kthyer bujqësinë dhe blegtorinë në një minierë floriri për ekonomitë e tyre kombëtare.
Subvencione reale, mbështetje reale për fermerët, 100 milionë euro në vit, ky është plani ynë dhe këtu hyn dhe digjitalizimi sepse ne duam të shmangim çdo hallkë të korruptuar të drejtorive rajonale bujqësore që kërkojnë rryshfetin përpara se të japin subvencionin. Potenciali i jashtëzakonshëm, mahnitës i Shqipërisë por dhe i fermerit shqiptar, mbështetja e drejtpërdrejtë nga qeveria me fonde buxhetore por dhe me investime në infrastrukturë dhe në vetvete ky treg, krijon jo thjesht mundësi por një kërkesë, një etje për trurin, për profesionistët, për specialistët në menaxhimin e drejtpërdrejtë të bujqësisë dhe blegtorisë dhe në menaxhimin e çdo degë dhe sektori tjetër të ekonomisë që është i lidhur me të”, – deklaroi Basha gjatë bashkëbisedimit me ekspertët e ardhshëm të bujqësisë, blegtorisë dhe turizmit.