Këshilli i Emërimeve në Drejtësi jep “OK” për kandidaturën e shtatë të gjyqtarit kushtetues duke dërguar në presidencë emrin e juristes Sonila Bejtja.
Bejtja garonte për vakancën e shpallur nga presidenca në 22 nëntor 2019. Për këtë vakancë në garë ishte edhe kandidati Altin Binaj.
“Këshilli vijoi më intevistimin e kandidatës tjetër, Zj. Sonila Bejtja e cila është paraqitur sot përpara anëtarëve të KED për të zhvilluar intervistën e caktuar në rendin e ditës, duke iu përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të këshillit dhe prezantuar platformën e saj në lidhje më kandidimin për në Gjykatën Kushtetuese dhe vlerësimit të njohurive në gjuhën angleze. Pas përfundimit të intervistimit të kandidates, KED vijoi me procedurën e pikëzimit dhe renditjes.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas diskutimevebëri pikëzimin e kandidatit të lejuar për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019 dhe miratoi vendimin përkatës. KED vijoi me miratimin e vendimit mbi listën përfundimtare të renditjes dhe raportit përkatës, i cili do t’i dërgohet menjëherë organit të emërtesës, Presidentit të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e KED.
Binaj u skualifikua nga KED për shkak se një javë më parë ai u zgjodh gjyqtarë kushtetues nga parlamenti duke u bërë gjyqtari i 5-të për t’u pasuruar më pas nga Perparim kalo,gjyqtari i 6-të.
Me këtë “OK” të KED, pritet vetëm veprimi i presidentit Ilir Meta nëse do të dekretojë gjyqtaren e tretë nga vakancat e tij dhe të shtatën për ‘Kushtetuesen’.
Aktualisht ‘Kushtetuesja’ është me 6-anëtarë pasi në detyrë deri në ardhjen e zëvendësuesit qëndrojnë Vitore Tusha e cila vjen nga radhët e gjyqtarëve që propozon Gjykata e Lartë.