Gjykata e Elbasanit ka vendosur të lërë prapa hekurave 45 vjeçarin Josif Kavaja, i arrestuar pak ditë më parë.
Ai do të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve.
45 vjeçari mbeti i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit katër ditë më parë.
Ndërkohë që ishte i rrethuar nga forcat RENEA, ai ka qëlluar me armë dhe gjatë natës.
NGJARJA
Incidenti i rëndë ndodhi të enjten në një fshat të thellë malor Seltë të Elbasanit, ku 45- vjeçari Kavaja ka qëlluar me armë në drejtim të forcave të Policisë, që i shkuan për kontroll në banesë.
Ai ishte denoncuar disa herë nga banorët e zonës, pasi qëllonte herë pas here me armë në ajër dhe ata ndiheshin të rrezikuar. Policia i kishte shkuar në shtëpi për kontroll më herët, por nuk i kishte gjetur armë.
Ndërsa të enjten, shërbimet e rendit i kanë shkuar sërish për kontroll, por kësaj here janë përballur me të shtënat. Fatmirësisht nuk ka pasur asnjë të lënduar.
I dyshuari mësohet të jetë person me precedentë penalë dhe ishte i deportuar pak kohë më parë nga Anglia. Ai jetonte i vetëm në fshatin Seltë, pasi familja e tij ishte shpërngulur nga aty. Banorët e fshatit kanë deklaruar dje se ai ishte beqar dhe kishte probleme nervore.
Pas incidentit që ka zgjatur disa minuta, 45-vjeçari ka kërcënuar efektivët se nëse tentojnë të ndërhyjnë, ai do të qëllonte drejt tyre dhe do t’i vriste të gjithë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Harxov” të fshatin Seltë, të Njësisë Administrative Zavalinë e Elbasanit.