TIRANË– Ndryshime të papritura në qeveri! 4 muaj para zgjedhjeve, ministri i deleguar i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj ka dhënë dorëheqjen. Ky është versioni i ministrisë së Jashtme, ndërsa kryeministri Edi Rama teksa ka bërë publik lajmin, thotë se është momenti që stafeta t’i kalojë Olta Xhaçkës, pa e sqaruar nëse Cakaj iku vetë, apo u shkarkua. Ndërkohë që vendin e ministres aktuale të Mbrojtjes e ka zënë Niko Peleshi, i cili rikthehet pas gati 4 vitesh në qeveri, duke marrë drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
POSTIMI I PLOTË I RAMËS NË TWITTER:
Pas një periudhe intensive pune në kryesimin e OSBE si edhe punës së madhe me përkushtim e profesionalizëm të Gent Cakajt si ministër në detyrë, ky është momenti për t’ia kaluar bashkarisht stafetën Olta Xhaçkës që të kryejë detyrën e ministres për Europën dhe Punët e Jashtme. Dua ta falenderoj me mirënjohje Gentin jo vetëm për dinjitetin në kryerjen e detyrës së derisotme, po edhe për gatishmërinë e plotë për të vijuar përpjekjen e përbashkët, duke u rikthyer në kabinetin e kryeministrit. Ndërkohë Niko Peleshi do të drejtojë ministrinë e mbrojtjes.
Por çfarë ndodhi? Pse u largua Gent Cakaj?
Në një njoftim për mediat, MPEJ thotë se ishte Cakaj që i ka dorëzuar kryeministrit Edi Rama dorëheqjen e parevokueshme. Dorëheqja duket se ka qenë e papritur edhe për kryeministrin, i cili në dy orë komunikim me gazetarët, nuk e dha lajmin e largimit të Cakajt. Ndërsa vetë Cakaj, thotë se meqënëse nuk synon as karrierën për zgjedhjet parlamentare 2021 si deputet, atëherë puna e tij në diplomacinë shqiptare ka përfunduar.
“Pas përfundimit me shumë sukses të kryesisë së OSBE-së, hapjes së negociatave për anëtarësim me BE-në, punës së jashtëzakonshme për të siguruar një ulëse në Këshillin e Sigurimit për 2022-2023, zbatimit të një sërë masash të pashembullta për ngritjen e faktorit shqiptar në Ballkanin Perëndimor, si dhe duke qenë se Shqipëria është në pragfushatë zgjedhore, ku unë nuk synoj të angazhohem si kandidat për deputet, konsideroj që kapitulli i shërbimit tim në krye të diplomacisë shqiptare është i përfunduar.”-thotë Cakaj në reagimin e tij.