TIRANË-Shoqëria “Big Alb Group”, pronare e rrjetit “Big Market” ka reaguar përmes një postimi në “Facebook” në lidhje me ngjarjen fatkeqe të ndodhur dy ditë më parë.
Disa media online dhe faqe virale në rrjetet sociale kanë publikuar një artikull në dy ditët e fundit, ku thuhej se një nga punëtoret e Big Market në zonën e Yzberishtit në Tiranë, ishte ndarë nga jeta pasi ishte aksidentuar në punë.
Në deklaratën për shtyp të botuar në faqen e saj në “Facebook”, shoqëria ka bërë të ditur se lajmi i botuar nga disa portale është i rremë, duke qenë se në ambientet e tregtimit të shoqërisë nuk ka patur asnjë aksident.
Kompania thotë se është gati të vendosë në dispozicion të autoriteteve edhe kamerat e sigurisë.
Big Alb Group shpreh dhimbjen e tërë shoqërisë për ndarjen e parakohshme nga jeta të një prej punonjësve më të mira të shoqërisë.
DEKLARATA E PLOTË E BIG MARKET:
“Big Alb Group” hedh poshtë me forcë lajmet e rreme që janë publikuar gjatë 48 orëve të fundit në një portal informativ, për humbjen e jetës së njërës prej punonjëseve tona më të mira. Punonjësja M.SH. nuk ka humbur jetën nga aksidenti në punë, sepse nuk ka pasur asnjë aksident në punë. Punonjësja M.SH. ka ndërruar jetë në mënyrë natyrale në dt. 27 dhjetor 2020. Ambientet tona të punës janë të mbikëqyrura 24 orë me kamera. Kjo është lehtësisht e verifikueshme. Duke përgënjeshtruar me forcë lajmet e portaleve gjobëvënëvse të cilat nuk njohin kufij apo normë morali profesional, i shprehim ngushëllimet e sinqerta familjarëve dhe të dashurve të M.SH.
“Big Alb Group”