Sikur të mos mjaftonte plaga e hapur nga tërmeti i 26 nëntorit të viti të shkuar, dhe ende pa ju gëzuar mbështetjes financiare që mori në Bruksel për rindërtimin, vala e koronavirusit që ra mbi mbarë globin, goditi pashmangshëm dhe Shqipërinë. Por ndërsa pandemia mbizotëroi jetën e qytetarëve, përplasjet e forta politike, të ushqyera nga ethet e zgjedhjeve të ardhshme nuk munguan.
PANDEMIA
Më 9 Mars, në një mbledhje të jashtëzakonshme të Qeverisë, kryeministri njoftoi se “laboratori virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, ka konfirmuar mesnatën e mbrëmshme dy raste me COVID 19”.
Bëhet fjalë për babë e bir të cilët kishin vizituar Italinë në fundt të muajit shkurt dhe kishin hyrë në Shqipëri nga pika e Murriqanit. Ata dërgohen në Spitalin Infektiv, i cili kthehet në një zonë karantinë.Përballë një situate me shumë të panjohura, Qeveria njofton për masat e para kufizuese me efekt të menjëhershëm.
Më 11 Mars regjistrohet dhe vdekja e parë, një 73-vjeçare humb jetën në spitalin e Durrësit, ku menjëherë më pas mjekë e infermierë karantinohen.
Paralelisht me frikën që shtohet, rriten dita ditës kufizimet. Të parat që mbyllen janë Tirana e Durrësi. Brenda një harku të shkurtër kohor, i gjithë vendi e sheh veten në izolim. Më 15 Mars, kryeministri do të bëjë të ditur se “perimetri i blinduar do të njehsohet me kufirin e Republikës së Shqipërisë. Dhe praktikisht e gjithë Shqipëria do të jetë javën tjetër, siç ishin Tirana dhe Durrësi fillimisht këtë javë”.Kufizimet sa vijnë e shtohen. Këmbësorët mund të lëvizin vetëm sipas një orari të caktuar. Ndërsa fundjavat kthehen në izolim i plotë, detyruar dhe nga shpërfillja ndaj rregullave. “Kush nuk e ka marrë vesh me hir, do ta marrë vesh me pahir”, paralajmëron zoti Rama më 21 Mars. Autoblindat e ushtrisë dhe të policisë marrin në kontroll akset kryesore të rrugëve, veçanërisht në kryeqytet.Mbrëmjen e 24 marsit Qeveria shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore. Rastet rriten çdo ditë, dhe përhapja e virusit prek thuajse të gjithë vendin, duke shënuar viktima. Testimet do të jenë në qendër të debateve që nuk do të rreshtin. “Përqindja e viktimave në raport me shifrat e konfirmuara mbetet e lartë, çka tregon, sipas shumë ekspertëve se numri i testimeve është jashtëzakonisht i uët”, deklaron më 31 Mars kryetari demokrat Lulzim Basha. Autoritetet këmbëngulin se strategjia e përballjes më Koronavirusin është përcaktuar nga ekspertët.