Olta Xhaçka: Z.Kryeministër dua të të falënderoj nga zemra për besimin e madh që treguat tek unë duke më besuar këtë detyrë në një vit kaq të rëndësishëm për politikën e jashtme të Shqipërisë. Por dua të falënderoj shumë edhe Gentin. Kam shumë respekt për punën e bërë nga paraardhësit e mi, e posaçërisht për punën e bërë nga Genti në kushte aspak të lehta si pasojë e pengesës se krijuar artificialisht në dekretimin e tij. Por, edhe në aspektin personal, i detyrohem një falënderim shumë të posaçëm për kordialitetin dhe profesionalizmin që ka treguar gjatë këtyre ditëve duke koordinuar transferimin e detyrës. Kryeministër, Genti, nuk do të jetë e lehtë, t’ju zëvendësoj të dyve njëheri në drejtimin e politikës së jashtme! Nga ana tjetër, jam shumë e vetëdijshme, që puna që ju keni bërë, e bën punën time këtu më të lehtë. Sepse nuk do të më duhet të rishpik rrotën apo të nis çdo gjë nga zero. Përkundrazi. Megjithatë një gjë dua ta bëj shumë të qartë. Puna nuk është asnjëhërë mjaft dhe unë nuk do të mjaftohem me atë që është bërë apo që vartësit e mi janë mësuar të bëjnë. Unë dua më shumë, nga të gjithë, duke nisur nga vetja ime. Dhe parimi im në drehtimin e dikasterit është lart në pozicion aq me shumë energji dhe orë punë në dispozicion të institucionit nga secili e secila. Aq sa eksperienca e madhe është një aset i vyer në një institucion si ky, po aq rutina është një problem i madh kur duhen kapercyer barriera të reja e duen bërë punë të reja, siç është edhe puna me integrimin europian për shembull. Dhe në këtë drejtim që është edhe prioriteti ynë nr.1, jam e kënaqur që puna ka qënë intensive. Kryenegociatori duhet të marrë jo vetëm përgjegjësinë që e ka marrë, po edhe mbështetjen e plotë nga zinxhiri i punës me integrimin në këtë ministri, duke u koordinuar prej tij dhe duke u përgjigjur para tij. Rritja sasiore e cilësore përmes dixhitalizimit të shërbimeve për shqiptarë jashtë atdheut duhet të vazhdojë me ritme të larta.