Tiranë- Drejtoria e Standarteve Profesionale në Policinë e Shtetit ka pezulluar tre punonjës policie pas arratisjes nga komisariati Nr. 1 të 30-vjeçarit Riljon Lalaj, pak minuta para se policia ta shoqëronte drejt Gjykatës së Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë.
I riu nuk u paraqit në sallën e gjyqit pasi u arratis mëngjesin e djeshëm nga Komisariati numër 1 në Tiranë. Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Rigers (Rilian) Lalën, për akuzën “armëbajtje pa leje”, në mungesë të këtij të fundit. 30-vjeçari u arrestua tre ditë më parë në zonën e “Ali Demit” në kryeqytet, nga forcat “Shigjeta”. I riu u kap duke qarkulluar me armë zjarri pa leje. Policia në një komunikatë zyrtare sqaroi arrestimin e të riut, ku sipas bluve Lala u lokalizua pas bashkëpunimit me qytetarët dhe u arrestua në flagrancë.