Ka kaluar mbi një vit që kur personi i parë në botë u infektua me koronavirusin. Të paktën 1.7 milion njerëz kanë humbur jetën nga virusi në të gjithë botën që nga ajo kohë. Një investigim i agjensisë së lajmeve Associated Press tregon se qeveria kineze po kontrollon rreptësisht të gjitha kërkimet për origjinën e virusit, ndërsa promovon teoritë e skajshme se pandemia e ka origjinën diku tjetër.
Qeveria kineze po monitoron gjetjet e shkencëtarëve dhe ka urdhëruar që botimi i çdo pune kërkimore të miratohet së pari nga një strukturë e re e menaxhuar nga kabineti i Kinës nën drejtimin e drejtpërdrejtë të Presidentit Xi Jinping, sipas dokumenteve të brendshme të marra nga Associated Press.
Nga Tajlanda në Brazil, shkencëtarët në të gjithë botën kanë kërkuar origjinën e virusit tek burimi i tij i mundshëm: lakuriqët e natës.
Gati dy kilometra larg Wuhan-it, lakuriqët e natës banojnë në një labirint shpellash nëntokësore gëlqerore në provincën Yunnan në Kinën jugore. Fshatarët thanë se nën drejtimin e një murgu budist shpella ishte përdorur si një vend i shenjtë.
Kontakte të tilla mes lakuriqëve të natës dhe njerëzve që luten në shpella, në gjueti apo në miniera – i alarmon shkencëtarët. Kodi gjenetik i koronavirusit është shumë i ngjashëm me koronaviruset e lakuriqëve dhe shkencëtarët dyshojnë se COVID-19 kaloi tek njerëzit nga një lakuriq nate ose nëpërmjet një kafshe ndërmjetëse.
Jonna Mazet, është profesore e Epidemiologjisë dhe Ekologjisë së Sëmundjeve në Universitetin e Kalifornisë, Davis.
“Bartësi më i mundshëm evolucionar i koronavirusit SARS 2 është një lakuriq i vogël. Këtyre lakuriqëve të natës u pëlqen të jetojnë në shpella, por ata jetojnë në të gjithë pellgun e Kinës dhe në Azinë Juglindore”, thotë zonja Mazet.
Sot, zona në Yunnan vëzhgohet nga afër. Agjentët e sigurisë ndoqën ekipin e Associated Press në tre vende dhe ua ndaluan gazetarëve të vizitonin shpellën, ku studiuesit identifikuan lakuriqët e natës përgjegjës për SARS-in.p