TIRANË– Dy të miturat që u larguan nga banesat e tyre ditë më parë kanë dhënë dëshminë e tyre në polici. Ato janë shprehur se janë larguar me dëshirë nga banesat pasi familjarët ziheshin shumë shpesh, madje zënkat kishin ndodhur dhe natën e vitit të ri. Vajzat kanë rrëfyer përballë policisë se me vete kishin 400 mijë lekë të cilat i kishin kursyer.
‘Deri në Përmet shkuam me makina dhe furgona të rastit. E njohim mirë zonën, është vendlindja e gjyshërve. Me vete kishim 400 mijë lekë. Nga shtëpia kemi ikur me dëshire. Familjet tona grinden shpesh. Familjarët u zunë natën e Vitit të Ri’.
Lajmi për zhdukjen e tyre u dha tre ditë më parë, edhe pse të miturat ishin larguar nga banesa që më 1 janar. Para se të zhdukeshin, ato dolën nga banesa me pretekstin se po shkonin në shtëpitë e njëra-tjetrës për të uruar një vit të mbarë. Por me të dalë nga banesa, fikën telefonat dhe u zhdukën.
Me vete, dy të miturat kishin kartat e identitetit dhe një sasi parash. E ëma e njërës prej tyre, pretendonte se vajzat ishin mashtruar, ndërsa shtonte se e bija vuante nga astma dhe duhej që të kthehej për të marrë mjekimin e nevojshëm. Hetuesit kishin nisur punën për ‘gjurmimin’ e tabulateve të tyre telefonike, mirëpo nuk dihet nëse ka qënë ky ‘detaji’ që i ka rikthyer të miturat pranë familjes.