Mes emrave të njohur të botës së krimit si Lulzim Berisha, Viktor Ymeri, Plaurent Dervishaj dhe Emiljano Shullazi, të cilët u arrestuan nga Prokuroria e Posaçme SPAK, në 8 dhjetor 2020, është dhe një punonjës i Bashkisë së Durrësit, që quhet Indrit Rusi.
Njeriu që shihet në këtë foto njihet ndryshe në Durrës me nofkën “Çeçi” dhe përpara se të arrestohej punonte në Bashkinë e Durrësit si fshesaxhi. Këtë fakt Indrit Rusi e ka pohuar vetë para gjyqtares, Daniela Shirka, e cila ka zhvilluar seancën për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Indrit Rusi, rezulton të jetë përmendur në dëshminë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Luftar Rreçi, duke treguar se “Çeçoja” ishte njeriu qe vëzhgonte lëvizjet Klodianit, nëse do të ikte nga Plepat apo do futej në autostradë për në Tiranë.
“Çeçoja”, sipas Luftar Reçit, ishte personi që informonte Reçin, Plaurent Dervishaj dhe Indrit Taullaun, të cilët duhet të qëndronin në gatishmëri në momentin kur të kalonte makina e Klodian Saliut.
Vetë 39-vjeçari Indrit Rusi,ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen.
“…unë thëritem me emrin “Çeçi”, pasi jam çam, kam prejardhjen nga Çamëria dhe nuk kam asnjë rrezikshmëri dhe lidhje me ngjarjen…” ka deklaruar 39-vjeçari.
Masa e sigurisë së Indrit Rusit është zhvilluar e veçuar nga masa e sigurisë për të proceduarit e tjerë si Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Indrit Taulla, Emiljano Shullazi, Viktor Ymeri dhe Luftar Reçi.
Të gjithë këta persona,përveç Lulzim Berishës, u arrestuan gjatë operacionit “Asgjë nuk harrohet”.